Shembja e Teatrit, Vetëvendosja e Kosovës zbarkon për protesta në Tiranë
Transmetuar më 19-05-2020, 18:48

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi sot se do të organizojë nesër në mëngjes në orën 9 një manifestim për tu solidarizuar me personat e arrestuar gjatë protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Sipas organizatorëve, personat janë arrestuar padrejtësisht “për përpjekjen e tyre në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, dhe kanë ushtruar të drejtën e tyre për të mbrojtur vlerat e trashëgimisë kulturore”.

"Të mblidhemi të gjithë për të kërkuar lirimin e qytetarëve të arrestuar padrejtësisht për përpjekjen e tyre në mbrojtje të Teatrit Kombëtar! Ata kanë ushtruar të drejtat e tyre si qytetarë për të mbrojtur vlerat e trashëgimisë sonë kulturore. Mbajtja e tyre në arrest është vazhdim i dhunës së pashembullt të treguar nga pushteti me shkatërrimin e Teatrit. Të ndalet plani për ndërtimin e kullave! Të rindërtohet Teatri Kombëtar! Të lirohen protestuesit! Ata që sot rezistojnë, nesër fitojnë", thotë Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Shqipëri.

Manifestimi do të kryhet në Tiranë përpara Gjykatës së Tiranës, Dhoma Penale, pranë ish-stacionit të trenit.

Ndër të arrestuarit figuron edhe një prej liderëve të lëvizjes në Shqipëri, Boiken Abazi.

Loading...