Transmetuar më 18-05-2020, 23:43

Zv.kryeministri i Kosovës Haki Abazi ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se të thuash që në Shqipëri s’ka oligarkë është njëlloj sikur të thuash s’ka det.

“Të thuhet se Shqipëria nuk ka oligark është njësoj si të thuhet që Shqipëria nuk ka det. Nuk e kuptoj fyerjen dhe injorancën e Kryeministrit Rama. Realiteti nuk është sajesë ashtu siç nuk është sajesë varefëria e shqiptarëve, ashtu siç nuk është sajesë fakt që me qindra e mijëra shqiptarë kanë ikur nga kjo politikë e injorancës dhe përbuzjes. Veriu i Kosovës në gjendjen e keqe është qe nga 1999 dhe përkundrazi është hera e parë që ne kemi vepruar edhe në veri edhe në Luginë”, shkruan Abazi.

Ndërkohë, për këtë deklaratë të zv.kryeministrit të Kosovës, Rama është pyetur live gjatë një interviste për televizionin T7 dhe ka thënë se nuk e njihte fare Haki Abazin.

“Kush është Haki Abazi se unë nuk e njoh. Kur paska vajt puna edhe zëvendëskryeministri akuzon shpif në këtë mënyrë niveli është poshtë fare”, tha kryeministri Rama.