Transmetuar më 18-05-2020, 22:28

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi rithekson qëndrimin e saj se Teatri Kombëtar do të ndërtohet sërish nga e para siç ka qenë.

Këtë gjë ajo e bëri të ditur përmes një postimi në “Facebook”.

Kryemadhi shprehet se godina do të ketë asetet bashkëkohore, ndërsa shtoi se i gjithë ansambli monumental do të rikthehet në identitet e do të jetë gjurma historike e qytetarisë së Tiranës së viteve tridhjetë të shekullit të kaluar.

“Teatri do të rindërtohet nga e para; siç ka qenë, por me të gjithë infrastrukturën dhe aksesorët bashkëkohorë, së bashku me të gjithë kompleksin “Skanderbeg”, siç është ndërtuar në vitet 1938-1940!

I gjithë ansambli monumental do të rikthehet në identitet e do të jetë gjurma historike e qytetarisë së Tiranës së viteve tridhjetë të shekullit të kaluar. Ky është qëndrimi im, ky është premtimi im, ky është betimi im si qytetare e Tiranës që kam lindur tek shallvaret, vetëm dyqind metra larg nga Teatri Kombëtar!”, thotë Kryemadhi./noa.al/