Transmetuar më 17-05-2020, 21:23

Gazetari i njohur Marin Mema, ka reaguar pas hembjes së Teatrit Kombëtar dhe situatës së tensionuar gjatë ditë së sotme, ku shprehet se partitë politike kanë shërbyer për të përçarë shqiptarët.

Në një reagim në Facebook, ai shkruan se "ne sot vuajme këtë mëndësi, këtë konflikt të mbjellë mes nesh për të na kontrrolluar".

Reagimi i plotë i Marin Memës

Shikoni sa shumë na kanë përçarë, sa shumë na kanë vendosur ballë njëri-tjetrit, sa shumë shqiptarët shtyhen e përplasen për ngjyra politike, sa shumë jemi ndarë në një vend kaq të vogël. Po pse dreqi e mori ? Ne jemi kaq afër njëri-tjetrit, ne kemi mbetur për fat të keq kaq pak sa diku disa breza e breza më parë të gjithë diku kryqëzohemi. Por sërisht mes nesh jo pa qëllim kanë hedhur farën e ndasisë, e dyshimit, dikund edhe të urrejtjes. Ne sot vuajme këtë mëndësi, këtë konflikt të mbjellë mes nesh për të na kontrrolluar. E kanë mbjellë dhe ne kemi harruar se të nesërmen jemi sërisht bashkë, në të njëjtat rrugë, shkollë, punë, në të njëjtat vështirësi e halle, në të njëjtën varfëri apo momente të bukura. Nesër jemi prapë bashkë. Un, ti, ata, të gjithë ne. Fëmijët tanë luajnë bashkë pa ditur çfarë janë partirë dhe ngjyrat e tyre, çfarë janë klithmat dhe interesat.

Në ndërkohë politikanët nuk janë aty, ata jetojnë në shtëpi të mëdha, në vila, me makina luksoze, me prona të pafundme bëjnë një jetë tjetër nga ne, një jetë të ndryshme nga ne, madje edhe ne lagje e fshatra të ndarë nga ne. Ata jetojnë në luks, zihen, shahen, akuzohen, e pastaj në fund e keni parë ? Puthen, nuk dënohen, nuk shkojnë më shumë se fjalët ndaj njëri tjetrit. Ata përtypin akuzat dhe vazhdojnë rrugën e tyre. Të gjithë në masë dërrmuese kanë fituar në një jetë sa për 100 jetë, ndërsa ne shqiptarët e thjeshtë duhet të mendojmë fundin e muajit. Ja për këtë na duan të ndarë, të shtyrë, të egër, me urrejtje për njëri tjetrin sepse kështu mund të na kontrrollojnë. Teksa ata bëjnë teatër me ne, ne jemi gati të hamë njëri-tjetrin për ata. E pra ka një ndryshm të madh. Ne shpresojmë tek një e ardhme më e mirë, ata vetëm tek pushteti. Duan vetëm pushtet, jo për shqiptarët, por për veten e tyre, për familjet e tyre. Eshtë koha ti japim fund urrejtes mes nesh, është koha të ecim bashkë, të jetojmë bashkë e të kuptojmë se nuk ka gjë më të shenjtë se jeta me kokën lartë, me mirësi, ndershmëri dhe shumë dashuri për këtë vend. Unë ju përqafoj të gjithëve sepse ju jeni gjaku im, jeni njerëzit që dua./noa.al/