Transmetuar më 15-05-2020, 08:22

Moderatorja Alba Çobaj prej muajsh i ka munguar televizionit dhe daljeve publike, shkëputje e cila ka ndodhur për shkak të një arsyeje të fortë: Ajo së shpejti do të bëhet nënë për herë të parë.

E kjo nuk është surpriza e vetme. Po ashtu Alba ka zbuluar se është martuar me partnerin e saj, ndërkohë që tani është në muajin e nëntë të shtatzënisë. Lajmin, ish-banorja e Big Brother e ka konfirmuar në një intervistë për “Revista Class”, ku rrëfen edhe disa detaje nga jeta e saj personale.

Çobaj tregon se është në pritje të një vajze. Po ashtu ajo thotë se me atë që tashmë është bashkëshorti i saj, Migeni, ka një histori dashurie 3-vjeçare dhe i kanë ndjekur etapat e lidhjes sipas radhës. Çifti ka planifikuar gjithçka dhe kanë pasur dëshirë që të bëhen prindër. Gjë që fatmirësisht iu realizua.

Moderatorja thotë se nuk e ka ndarë lajmin me publikun, si të martesës ashtu dhe të shtatzënisë, pasi është pak supersticioze.

“Unë dhe partneri im Migeni, aktualisht bashkëshorti, jemi së bashku prej gati tre vitesh dhe le të themi që kemi ndjekur etapat sipas radhës dhe kemi marrë kohën tonë për çdo veprim. I kemi bërë gjërat kur i kemi ndjerë, pa u ndikuar nga asnjë rrethanë. Në maj të 2019-ës ne u fejuam dhe në tetor jemi martuar. Ndërkohë kishim të dy dëshirë të bëheshim prindër dhe Zoti na bekoi me një vajzë që gëzon shëndet të plotë. Besoj se kaq mjafton që të jemi të lumtur e të plotësuar. Nuk kam dashur ta bëj publike deri në momentin e lindjes meqë jam pak supersticioze. Megjithatë duke qenë se jam drejt fundit, vendosa ta ndaj me ju këtë lajm që sigurisht për mua është më i bukuri. Dhe pse vetë jam person publik kjo nuk do të thotë që duhet të bëja publikë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, siç është në këtë rast bashkëshorti. Kemi vendosur që ta shijojmë për vete gjithçka, siç shijuam të gjitha etapat e lartpërmendura”, tha Alba.

Ndërkohë ajo e mendon rikthimin në televizion në të ardhmen, megjithatë tani parësore është vajza, për të cilën kanë zgjedhur edhe emrin, por do ta ndajnë pasi të lindë.