Transmetuar më 07-05-2020, 21:54

Autoritetet shqiptare kanë vendosur që të qëndrojnë në gatishmëri për të rikthyer karantinën ekstreme, në rast se në dy spitalet Covid, ka gjithsej 90 persona të shtruar me koronavirus.

Pohimi u bë sot nga Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve mbi situatën e COVID-19, Ermira Raçakolli, gjatë një mbledhjeje të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Raçakolli tha se situata është e mirëkontrolluar, dhe sqaroi: "Treguesit ditorë që do të çonin në mbylljen sërish të vendit, do të ishin numri i të infektuarve të rinj në ditë, numri i shtrimeve dhe numri i atyre që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe i atyre që humbin jetën".

Më konkretisht, zonja Raçakolli tha: Treguesi ditor do të ishte mbi 15 raste nga mesatarja e sotme, që aktualisht është 11 raste, 90 persona të shtruar në spitale, aktualisht jemi me 38 të shtruar dhe kujdesi intensiv me 20 persona, ndërsa aktualisht janë 7 të tillë dhe asnjë i intubuar.

Por çfarë do të thotë ky plan: Nëse në periudhën në vijim kur hapja do të jetë nga 11 maji e tutje, thuajse e plotë dhe kur kufijtë pritet të hapen brenda majit, do të ketë 26 të infektuar në ditë dhe ky numër do të çojë në shtrimin e 90 personave në spitale e prej tyre 20 nën terapi intensive, atëherë Komiteti Teknik i Ekspertëve do t’i kërkojë kryeministrit që të rikthejë karantinën ekstreme.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, më 8 mars, janë identifikuar gjithsej 842 persona. Prej tyre 31 persona kanë humbur jetën. Sakaq janë identifikuar edhe 5 persona të tjerë të infektuar me koronavirus, të cilët të gjithë humbën jetën, por zyrtarisht ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se ata ishin bartës dhe nuk i konsideroi vdekje nga Covid-19.

Nga dita e parë kur ishin 2 raste, numri më i madh ditor u regjistrua më 25 prill, 34 raste. Sipas MSH, në dy spitalet Covid, Infektivi dhe Sanatoriumi, kanë kapacitet të gatshëm kurimi me 340 shtretër. Kryeministri ka deklaruar se janë në gatishmëri për përdorim, 330 respiratorë. Mjekët në këto spitale kanë deklaruar se numri i respiratorëve gjendje është shumë më i vogël. /noa.al/