Koronavirusi, tani e tutje lejohen grumbullimet me deri 10 persona
Transmetuar më 07-05-2020, 21:27

Autoritetet shqiptare kanë vendosur të lejojnë grumbullimin e njerëzve deri në 10 vetë. Pohimin e bëri sot, kryeministri Edi Rama në një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve mbi situatën e COVID-19, ndërsa pak ditë më parë kishte deklaruar se grumbullimet do të lejoheshin deri në pesë persona.

Rama tha se deri në datën 18 maj pothuajse i gjithë biznesi do jetë rihapur, përveç transportit publik, për të cilin ende nuk ka një vendim për hapje. Në këtë pikë, Rama lajmëroi lehtësimet e reja: “Plani është i qartë. Deri në datën 18 maj, ne do jemi mbi 90% të liruar. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik, me autobusë apo furgonë, sidomos ndërqytetës, por edhe në qytet. Po shikojmë akoma të gjejmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. Nuk e dimë ende se si mund të jetë. Ndërkohë që gjithë pjesa tjetër do të çlirohet ndjeshëm, kuptohet duke evituar grumbullimet me më shumë se 10 persona etj.,” – u shpreh kryeministri.

Shënim i NOA: Pavarësisht se sipas autoriteteve, tani lejohet grumbullimi deri i dhjetë personave, ne rekomandojmë fort që të shmanget plotësisht grumbullimi në mjedise të mbyllura dhe të hapura me persona jashtë familjes, për sa kohë virusi COVID-19 është ende i pranishëm në Shqipëri. Që të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm që të respektojnë distancimin fizik jo më pak se 1.5 metër, si dhe të dezinfektojë duart sa herë prek sipërfaqe të ndryshme që mund të jenë prekur më parë nga njerëz të tjerë. /noa.al/

Image may contain: 1 person, child and outdoor

Loading...