U bllokua nga koronavirusi, francezja zgjedh një familje në Elbasan: Nuk dua të largohem
Transmetuar më 07-05-2020, 12:45

Sara Thival është një turiste franceze, e cila me një grup shoqëror erdhi në Elbasan rreth 2 muaj më parë. Situata e pandemisë bëri që ajo të vihej para zgjedhjes së kthimit të menjëhershëm në vendin e saj apo qëndrimit në Shqipëri. Mundësia e udhëtimit të gjatë dhe e prekjes nga virusi në këtë udhëtim bëri që Sara të vendosë të qëndrojë në Elbasan dhe tashmë prej dy muaash qëndron këtu.

“Unë jam nga Franca dhe erdha në Shqipëri në 7 mars. Pra u bënë 2 muaj ose më shumë. Ishte zgjedhja ime të qëndroja këtu. Kur nisi pandemia pata dy zgjedhje të kthehesha në Francë, ose të qëndroja këtu. Në atë kohë në Francë ishte shumë e vështirë sepse kishte shumë raste kështu që unë vendosa të qëndroj, kjo edhe për faktin që nëse do të kthehesha duhet të merrja avionin dhe dy trena, udhëtimi ishte i gjatë dhe kishte shanse që unë të merrja virusin në këtë udhëtim”, tregon Sara.

Qëndrimi i gjatë në një familje shqiptare e bëri Sarën të dashurohej me këtë vend dhe tashmë dëshira e saj për tu larguar nuk është shumë e madhe. Edhe pse Elbasani nuk është një qytet aq i madh e i bukur si Parisi, Sara nuk e ka me nxitim të largohet që këtu.

“Këto muaj po qëndroj në një familje shqiptare, ata vendosën të më mbanin në shtëpinë e tyre gjatë pandemisë dhe janë shumë të mirë me mua. Në fakt unë nuk dua të kthehen në Francë, jo për momentin, unë dua të vazhdoj udhëtimin tim. Nuk e di nëse kjo do të jetë e mundur në të ardhmen, por unë nuk do të dorëzohem derisa ti kem provuar të gjitha. Shqipëria është një vend shumë i bukur. Unë kisha një mike e cili vinte shumë shpesh në Shqipëri dhe gjithmonë fliste shumë mirë për këtë vend. Kështu që unë doja të vija këtu dhe të rrija për një kohë të gjatë dhe po e shijoj qëndrimin tim këtu”, tha ajo për ‘Tch’.

E ndërkohë që shpreson që situate e pandemisë të kalojë sa më parë si në vendin e saj ashtu edhe në Shqipëri, Sara shpreson të vazhdojë të kalojë një kohë të bukur në Elbasan.

Loading...