NOA EKSKLUZIVE/ Zbardhet plani për fatin e këtij viti shkollor në Shqipëri
Transmetuar më 28-04-2020, 00:24

Qeveria shqiptare ka vendosur të realizojë një mbyllje të plotë të vitit shkollor në të gjithë sistemin arsimor të vendit duke përdorur një strategji miksimi të mbylljes së këtij viti mes sistemit online dhe atij në bangot e shkollës.

Burime nga kabineti qeveritar i thanë NOA-s, se plani që është detajuar dhe pritet të bëhet publik të martën pasdite (29 prill), parashikon një sërë veçorish.

Sipas projektit, në të gjithë vendin, do të hapen vetëm shkollat e mesme për maturantët që të përfundojnë vitin shkollor dhe provimet.

Ato do të hapen duke ruajtur distancën fizike përmes rotacionit të zhvillimit të mësimit.

Sakaq, sistemi online do të funksionojë deri në qershor. Gjatë kësaj periudhe do të ketë përgatitje për provime dhe parashikohet që midis datave 1 deri 30 qershor të zhvillohen provime vetëm për periudhën që nxënësit maturantë kanë qenë në shkolla, pra nga shtatori 2019 deri në 10 mars 2020.

Në universitete është planifikuar që mësimi të përfundojë online dhe kjo vjen si kërkesë e vetë atyre pasi kanë autonomi.

NOA mëson se është propozuar që të zhvillohen leksione dhe seminare për rreth dy muaj në universitete, duke shfrytëzuar jo më shumë se një të katërtën e kapacitetit ekzistues që është përdorur deri në 10 mars.

Sipas planit, mësimi propozohet të zhvillohet në qershor dhe korrik në grupe të vogla me 10 deri 15 studentë në sallat e vogla dhe deri 25 studentë në sallat e auditorëve, me qëllim që të ruhet distanca fizike mes të rinjve.

Këto orë mësimore, kryesisht orë laboratorike, seminarë dhe praktika mësimore, do të ishib vetëm për disa lëndë që përmes sistemit online kanë qenë të pamundura të zhvillohen.

Kushtet për zhvillimin e mësimit për studentët do të ishin jo vetëm distanca, por edhe mbajtja e maskave në qarkullim, por jo në sallat e mësimit.

Gjithashtu studentët do të urdhërohen që të largohen menjëherë nga godinat pas përfundimit të mësimit i cili do të bëhet me rotacion për të ruajtur distancën dhe mos krijohen dyndje. Por kjo varet gjithnjë nga vetë universitetet.

Sakaq nuk ka plane për hapjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave fillore.

Gjithsesi ky është një projekt i cili mund të ndryshojë pjesërisht deri nesër ndërsa aktualisht gjendet në tavolinën e kryeministrit.

Burimet i thanë NOA-s se plani është përgatitur nga ministria e Arsimit dhe këshilltarët e kryeministrit Edi Rama. Pjesë e projektit të hartuar, kanë qenë edhe drejtuesit e të gjitha shkollave të mesme dhe të larta në vend. Kanë marrë pjesë në dhënie idesh, stafet universitare dhe të gjimnazeve. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë parimisht pro hapjes tërësore të shkollave në të gjithë sistemin arsimor, por njëkohësisht kanë pranuar se nuk ekzistojnë kushtet për ruajtjen e distancës fizike mes nxënësish e studentësh. /noa.al/

Loading...