“Karantinimi s’ka më kuptim”, gazetari Kikia: Është kthyer në eksperiment social
Transmetuar më 26-04-2020, 22:41

Gazetari Mentor Kikia i konsideron masat e qeverisë një eksperiment social.

Në një reagim të tijin është ai është shprehur se karantina dhe çdo masë tjetër tashmë duhet shfuqizuar.

Duke ironizuar masat ai shprehet se "ata që kishin liridaljen, mbushën bulevardet plot, sheshet plot, lulishtet plot".

Reagimi i plotë

Nuk besoj (ende) se i gjithë ky makth që po heq njerëzimi është një plan shoqërish sekrete për të ndryshuar botën. As plan i “masonëve” për të rrëzuar Donald Trumpin.

As plan i Bill Gates për të seleksionuar njerëzimin. As plan korruptiv i OBSH-së në bashkëpunim me Kinën. Por besoj se pas kësaj që ne bëjmë në fundjavë, është budallallëku më i madh të mbyllemi gjatë javës në shtëpi, apo të kufizojmë veprimet tona. Jo, karantinimi nuk ka më asnjë kuptim!

Nuk e di nëse ia vlejti shkencërisht për të luftuar virusin, por tani karantinimi ka rënë si masë. Në fundjavë të gjithë dynden rrugëve dhe shesheve. Nëse nuk del burri, del gruaja në turmë, dhe nëse infektohet ajo, e “ha” edhe burri në shtëpi, dhe po kështu edhe e anasjellta.

Ata që kishin liridaljen, mbushën bulevardet plot, sheshet plot, lulishtet plot. Të tjerë, që i përkasin oligarkisë shoqërore, vërshuan në bregdet, meqë policia nuk i ndalon. Jo, as gjendja e emergjencës, as gjendja e jashtëzakonshme, as karantina e asgjë tjetër nuk kanë më asnjë vlerë “mjekësore”. Mbyllja e mëtejshme nuk është më një masë parandaluese, por një eksperiment social.

Loading...