Takimi me Mustafën, Haradinaj rendit kushtet për të hyrë në koalicion
Transmetuar më 22-04-2020, 17:08

Teksa Kosova është në pritje të krijimit të qeverisë së re, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, ditën e sotme, lidhur me mundësinë e koalicionit.

Pas përfundimit të takimit Haradinaj me anë të një deklarate, ka parashtruar disa kushte për LDK.

“Paradite kam pasur një takim me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe aty kemi biseduar se çka na pret në të ardhmen. Ende nuk ka ndodhur mandatimi zyrtar, deri në momentin kur nuk e kemi mandatarin nuk mund të flasim për aspekte tjera. Megjithatë situata është kjo e kemi një qeveri të rrëzuar me 2/3 në parlament. Ajo është qeveri në detyrë, por kërkohet një qeveri me mandat të plotë nga parlamenti. AAK do ta jap përkrahjen. I kemi kthyer një shkresë zyrtare LDK-së, ku kemi përmendur temat që kanë rëndësi për neve”, thotë Haradinaj.

Ai deklaron se për të është e rëndësishme rritja e përkrahjes për institucionet e sigurisë, dhe më tej rëndësi të veçantë ka autostrada e Dukagjinit, dhe e treta temë është pakoja fiskale pas pandemisë, si dhe çështja e demarkacionit. /a.y/noa.al

Loading...