Transmetuar më 20-04-2020, 14:44

Punonjësit në të zezë që nuk janë përfshirë në paketat e ndihmës ekonomike në kuadër të pandemisë së koronavirusit do të marrin një pagesë direkte.

Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama duke deklaruar se rreth 70 mijë familje, kryefamiljarët e të cilave kanë bërë punë në të zezë apo kanë qenë të papunë do të marrin një shumë prej më shumë se 80 mijë lekë.

“Ata që punojnë në të zezë apo kanë vështirësi ekonomike, janë në grup prej 70 mijë familjesh që nuk janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike por edhe pse kanë pasur një pikëzim më të lartë se i atyre që kanë hyrë në ndihmën ekonomike si aplikues për ndihmë ekonomike konsiderohen familje që në këtë situatë kanë një hall më të madh se të tjerët”, tha kryeministri.

Duke sqaruar se brenda kësaj jave do të dalin të gjitha detajet për këtë çështje, Rama shtoi:

“Po punojmë për një bonus të veçantë që do të jetë në masën e një ndihme direkte, një herë për periudhën e mëtejshme dhe si do të jetë, sa do të jetë, kur do të ndodhë, do e kemi këtë javë të qartë. Për ndihmë për ata që ankohen se kanë vështirësi ekonomike, familja e tyre po punon në të zezë do të kalojnë ndihma e atyre përtej 80 mijë lekësh(të vjetra). Do mundemi ta lajmërojmë edhe këtë shumë prej atyre që ankohen që janë në punë në të zezë, vështirësi ekonomike. Ndihmë ekonomike direkte.”/a.m/noa.al