Transmetuar më 20-04-2020, 13:12

Kryeministri Edi Rama thotë se këtë javë do të kalojë një amnisti fiskale në qeveri dhe më tej do i çohet parlamentit për konsultime, teksa uroi që brenda muajit maj të miratohet.

“Nga amnistia përfitojnë emigrantët që kanë kursime të cilat padiskutim janë të interesuar ti depozitojnë nëpër banka, por edhe kompanitë që kanë të ardhura të padeklaruara. Amnistia do të jetë gjithëpërfshirëse dhe do të kenë lehtësim maksimal të gjithë ata që jetojnë në emigracion dhe në vendin tonë dhe që janë në nevojën 30-vjeçare për të formalizuar paranë jo formale që kanë në dispozicion”, u shpreh Rama.

Ai tha se amnistia ndalon riciklimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale dhe korrupsioni dhe se përjashtohen prej saj të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitetet e caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është subjekt i ligjit special dhe Operacionit Forca e Ligjit.

Rama deklaroi se përjashtohen nga amnistia të gjithë politikanët, zyrtarët e lartë, bashkë me rrethin familjar dhe ata që militojnë në radhët e Policisë së Shtetit, gjykatësve dhe prokurorëve, apo rangje të larta të administratës.

Sipas tij, çdo qytetar që ka pasaportë shqiptare mund të përfitojë nga amnistia, nëse nuk bën pjesë në kategoritë e ndaluara.

Kryeministri bëri me dije se kohëzgjatja e amnistisë do të jetë një vit dhe do të jetë e ndarë me tre fasha katër mujore, ku në fashën e parë detyrimi për të depozituar paratë është 5%, në fazën e dytë 7% dhe në të tretën 10%.

Në këtë drejtim sqaroi se amnistia do të jetë fiskale dhe penale dhe në të ardhmen nuk do të ketë pasoja, përveç në rastet kur ka bërë deklarim të rremë. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE