Transmetuar më 16-04-2020, 19:19

Ndoshta titulli i këtij shkrimi mund të tingëllojë gabimisht si nostalgji e utopisë komuniste që i vuri shqelmin e fundit ekonomisë së falimentuar shqiptare të viteve ‘80 të shekullit të kaluar. Paradoksalisht, “karantina” dhe izolimi politiko-ekonomik e asaj kohe ishte një zgjedhje dogmatike e diktaturës, ndërsa sot ekonomia globale ka hyrë në “karantinë” e imponuar nga Covid-19.

Fatkeqësisht, ajo që po shohim në javët e fundit nuk është vetëm një krizë ekonomike globale, e ngjashme me pasojat e Depresionit të Madh (1929-1933), por një epokë e re e “de-globalizimit”, e cila po godet në zemër sistemin liberal të qeverisjes globale.

Nuk e kam fjalën vetëm për politikat proteksioniste, apo për luftën tregëtare dhe teknologjike mes SHBA dhe Kinës, por për një ide të rrezikshme që po fiton terren në këto kohë pasigurie. Bota sot e quan “vetë-mjaftueshmëri”, ne dikur e quanim “Me Forcat Tona”.

Aktualisht, ekonomia globale në karantinë ka “çbërë” në më pak se 2 muaj atë që globalizimi e ka ndërtuar për dekada, pikërisht “zinxhirin global të prodhimit”. Pandemia e virusit dhe kriza ekonomike është globale, por zgjidhjet mesa duket po mbeten në dorë të qeverive lokale.

Shembulli më i freskët i këtij “dështimi të tregut” është pamjaftueshmëria e sasisë së maskave dhe paisjeve mjekësore. ku për disa javë Europa dhe SHBA ishin në dorën e “diplomacisë së shëndetit publik” të Kinës.

Kriza e besimit, mungesa e solidaritetit dhe koordinimit në nivel global, ka ringjallur ankthin e çdo shteti për “vetëmjaftueshmërinë”, dmth çdo shtet po merr masa për prodhimin dhe për konsumin sikur të ishte ishull i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Nëse shendeti publik do të shikohej si një e mirë globale ku të gjithë të kontribuonin nga pak, pse duhej që çdo shtet të garonte se kush blen më shumë respiratorë dhe ventilatorë nëpër spitale, a thua sikur janë kondicioner për përdorim shtëpiak?

Për meritë të globalizimit dhe regjimit të lirë të tregtisë ndërkombëtare, çdo shtet prodhon atë që di të bëj më mirë dhe më lirë. Sot, për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, zinxhiri i prodhimit global është “plagosur”, lëvizja e lirë e njërëzve, mallrave, investimeve dhe kapitaleve është kufizuar ndjeshëm.

Në kontekstin shqiptar, mungesa e stimulit të mjaftueshëm financiar si në krahun e kërkesës (konsumit) ashtu edhe në atë të ofertës (prodhimit), po e fut ekonominë në një “anoreksi” pa afat, pasojat e së cilës do ti ndjejmë dhimbshëm në muajt në vazhdim. Duhet të kishim që në fillim publikisht të shpallur vetëm një “paketë ekonomiko-sociale” me kontigjencën financiare të shkallëzuar sipas skenareve të mundshëm dhe të shtrirë në kohë. Të gjithë fashat e biznesit nuk kanë pse presin “llotarinë”, por duhet ta dinin tashmë se deri në çfarë mase do të kompensoheshin për pagat e punonjësve në mënyrë që të planifikonin me kohë nevojat dhe mundësitë e tyre për ti mbajtur ata. Sikurse duhet ta dinin sesa do të përfitonin nga kreditë e buta për kapitalin e tyre qarkullues, për pagesat e furnitorëve etj. Është njëlloj sikur të fillosh të lexosh një libër pa e ditur fare titullin dhe sa kapituj ka.

Gjithashtu, duhet të pregatitemi përveç emergjencës, edhe për një “Plan Integral të Rimëkëmbjes”, ku praktikisht duhet të bëjmë “stres-testet” e skenarëve më pesimistë të ekonomisë sonë. Në kushtet kur tregjet ndërkombëtare të zinxhirit të prodhimit mund të bllokohen qoftë edhe për shkak të paranojës së secilit shtet, ne nuk duhet të kompleksohemi nga sllogani “Me Forcat Tona”.

Konkretisht, përveç prioritetit të sektorit të shëndetësisë, bujqësia, industria ushqimore, turizmi dhe industria tekstile duhet të jenë në fokus të mbështetjes financiare të qeverisë përtej periudhës së emegjencës. Pse?

Për shembull, ekonomia greke parashikon një rënie ekonomike në nivelin e 11% të PBB-së, kryesisht për shkak të goditjes në sektorin e turizmit dhe bujqësisë. Problemi kryesor, sidomos për bujqësinë, është mungesa e krahut të punës, e cila në kushtet normale furnizohej nga shqiptarët. E njëjta gjë është edhe për turizmin. Të njëjtin problem e ka edhe Maqedonia me produktet bujqësore dhe ushqimore. Si ka mundësi, që edhe në këtë rast kur bujqësia shqiptare dhe industria agro-përpunuese ka një shans për të zëvendësuar importet e produkteve ushqimore të vendeve fqinjë, fermerët shqiptarë janë të detyruar të hedhin produktet e tyre në lumë? Apo më keq, si ka mundësi që luleshtrydhja e Lushnjës, shitet si “luleshtrydhe zvicerane” kur vjen në tregun e Tiranës? A ka mundësi që qeveria të ketë një rol më aktiv dhe të eliminojë këtë sjellje spekullative të grosistëve? Në kohë normale, ndërhyrja e qeverisë mund të konsiderohej “etatizëm”, por në kushtet aktuale shteti është rregulatori i vetëm i cili mund edhe të ekulibrojë çmimet në treg. Në të njëjtën mënyrë edhe me produktet e tjera agro- ushqimore. Nuk ka sens të importojmë ujë të pijshëm nga Italia apo qumësht nga Serbia. Ky është shans i madh për të ndihmuar prodhimin vendas, sidomos për të promovuar edhe produktet ushqimore që në kohë normale eksportohen në tregjet ndërkombëtare, por që sot janë të mbyllura.

Edhe në turizëm, për shkak të situatës dhe kufizimeve të mundshme në lëvizje, në këtë sezon të gjitha vendet e Mesdheut do të mbijetojnë “me forcat e veta” dhe me paketa turistike agresive përmes çmimeve të ulta. Ne duhet të kemi një plan sesi të amortizojmë humbjen nga mungesa e turistëve të huaj, duke promovuar destinacionet tona “patriotikisht” tek shqiptarët. Ulja e çmimeve në hotele dhe restorante apo subvencionim të bizneseve turistike për çdo turist, mund të jenë instrumente të domosdoshme për të pretënduar që shqiptarët me aq pak kursime që mund të kenë të bëjnë disa ditë pushim.

Recesionin ekonomik për 2020 nuk mund ta ndalim me shkopin magjik, por si në çdo krizë, ka gjithmonë oportunitete që mund të shfrytëzohen nëse kemi një plan ekonomik të vërtetë. Fatkeqësisht, koha nuk pret për paketën e tretë.