Janë 100 apo 115 milionë euro nga BE për tërmetin?
Transmetuar më 14-04-2020, 21:38

Rama njoftoi 100 milionë euro nga Europa, BE del me njoftim: Po japim 115 milionë

Bashkimi Evropian përgënjeshtron Ramën? Po japim 115 milionë euro, jo 100!

Bashkimi Evropian njoftoi mbrëmjen e sotme se janë alokuar 115 milionë euro për Shqipërinë për rikuperimin pas tërmetit ndërsa më herët kryeministri njoftoi për alokim 100 milionë euro. Shifra u dha në një komunikatë zyrtare që zyra e BE në Shqipëri shpërndau sonte për mediat, duke njoftuar se shuma e parë 15 milionë euro dorëzohet me ceremoni të posaçme ditën e nesërme.

"Ky është dhurimi i parë prej 15 milionë eurosh i ndihmës së përgjithshme të BE-së prej 115 milionë eurosh për Shqipërinë mbi rikuperimin pas tërmetit", – thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se ambasadori Luigi Soreca, kreu i Delegacionit të BE-së, Limya Eltayeb, Përfaqësuese Rezidente e UNDP-së në Shqipëri, Arben Ahmetaj, Ministër Shteti për Rindërtimin dhe Oltion Rrumbullaku, Zëvendës Ministër i Arsimit, Sporteve dhe Rinisë do të marrin pjesë në këtë ceremoni të nënshkrimit të programit EU4Schools midis Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNDP-së, nesër, e Mërkurë, 15 Prill 2020 në orën 12:30.

Më herët pasditen e sotme, kryeministri Rama njoftoi në Facebook se BE po alokon 100 milionë euro: "Një lajm i mirë që pavarësisht hallit të madh të pērballimit të pasojave të kësaj lufte botërore, BE i qëndroi angazhimit të 17 shkurtit në Bruksel dhe 100 milionë eurot e premtuara nga Komisioni Europian për rindërtimin, u alokuan në buxhetin e rishikuar të BE2020", – njoftoi z.Rama.

Është e paqartë kjo mospërputhje shifrash mes dy deklaratash në pak orë nga Rama dhe BE. /noa.al/

Loading...