Transmetuar më 14-04-2020, 13:22

Duke sqaruar paketën mbështetëse në kushtet e emergjencës së koronavirusit, Kryeministri Edi Rama tha se punonjësit janë përzgjedhur nga listëpagesat e paraqitura nga kompanitë deri në datë 10.

Ai tha se gjithë të larguarit nga puna të papaguar janë shtuar javë pas jave dhe tashmë janë të identifikuar dhe në momentin që do hapet faqja përkatëse në Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bëhet konfirmimi “po jam unë” nga personi që përfiton pagën e luftës prej 40 mijë lekësh të reja.

“Pagat do të hidhen në llogarinë e tyre të drejtpërdrejtë dhe jo duke kaluar nga pronari, se nuk duam që pronari të japë një pjesë, por të rrinë drejtpërdrejtë në arkën e familjes. Punën në të zezë e kemi luftuar në të gjitha forcat, ama asnjë vend i planetit, as SHBA, Franca, Italia apo Gjermania, askush nuk ka asnjë paketë që kemi parë deri më sot, ndonjë shumë për ata që punojnë në të zezë. Si identifikohen? Si? Si ta kuptojmë kush ka punuar në të zezë dhe kush shkon dhe thotë ‘kam punuar dhe unë dua dhe unë lekë”, u shpreh Rama.

Për punonjësit në të zezë ai premtoi edhe një shpërblim për të cilin tha se po diskutohet, në rast se denoncon punëdhënësin.

Po ashtu kreu i qeverisë paralajmëroi prerë punëdhënësit, “Nuk shtyhen pagesat e sigurimeve shoqërore, janë kontribut për pensionin nesër”. /a.y/noa.al