Transmetuar më 13-04-2020, 01:12

Mesfushori i Eintrahtit të Frankfurtit, Gelson Fernandes, është shprehur i bindur se kampionati i Bundesligës do të rinisin në fund të majit, pas ndërprerjes për shkak të koronavirusit.

Bundesliga ka qenë e pezulluar përkohësisht që nga 13 marsi, por niveli më i lartë i kampionatit të futbollit në Gjermani duket se është më afër kthimit sesa kampionatet e tjerë europianë.

Në fakt, skuadrat e Bundesligës së parë dhe Bundesligës së dytë i kanë rinisur seancat stërvitore këtë javë dhe drejtori ekzekutiv i Bundesligës, Kristian Saifert, ka zbuluar se këto dy kampionate po shpresojnë t’i rinisin ndeshjet në fillim të majit, për t’i përfunduar ndeshjet deri në fund të qershorit.

Fernandesi ka thënë se ky afat kohor mund të jetë më tepër optimist sesa realist. Por ai beson se Bundesliga do të kthehet në fund të majit. “Kur ne të kthehemi, ndeshjet do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, – ka thënë ish-ylli i Mançester Sitit, Fernandes, në një intervistë të dhënë për rrjetin prestigjioz britanik, BBC.

"Mendoj se do të jetë në fund të majit. Është e pamundur të mendosh se në qershor, korrik ose gusht, ne do të ishim duke luajtur para 50 mijë njerëzve. Do të ishte e gabuar. Është e këndshme të jesh në fushë, por ne po tregohemi të kujdesshëm, po i pastrojmë duart dhe gjithçka, dhe ne ndihemi me fat. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund t’i rinisim ndeshjet”, – ka përfunduar mesfushori i Eintrahtit të Frankfurtit, Gelson Fernandes.