Transmetuar më 12-04-2020, 01:57

Në hapësirën ajrore të Kosovës, aeroplani i kompanisë Chair në linjën Zyrih-Prishtinë, ka bërë simbolin e zemrës, si shenjë përkrahjeje për Kosovën.

Xhesti vjen në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin e ri, ka njoftuar Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës (ASHNA).

“E jashtëzakonshme në Hapësirën Ajrore të Republikës së Kosovës! Sot me kërkesë të pilotit dhe me miratim të kontrollorit të trafikut ajror, aeroplani i kompanisë Chair në linjën Zyrih – Prishtinë bëri simbolin e zemrës në qiellin e Kosovës si shenjë përkrahjeje për vendin tonë në këto momente të vështira për gjithë në, si rrjedhojë e virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

ASHNA dhe personeli i saj, Kontrollorët e Trafikut Ajror, Inxhinierët e pajisjeve aeronautike, Meteorologët aeronautikë dhe Zyrtarët e Informacionit Aeronautik vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e tyre për të mbajtur hapur të vetmen portë të Kosovës me botën.