Transmetuar më 10-04-2020, 15:28

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmoi para pak çastesh se i moshuari 85-vjeçar, me inicialet E.L., i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, ishte bartës i koronavirusit por sipas saj nuk ka humbur jetën si pasojë e COVID19.

I moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme.

"85-vjeçari ka qenë bartës i COVID19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes", thotë MSH.

85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit.

Më herët noa.al raportoi vdekjen e të ndjerit duke pritur një konfirmim nga MSH nëse ai ishte i prekur nga koronavirusi. Deklarata e MSH se i ndjeri ishte bartës, por nuk vdiq prej koronavirusit, nga njëra anë shton skepticizmin, nga ana tjetër mund të konsiderohet si lajm i madh që edhe të moshuarit mund të jenë vetëm bartës të infeksionit, kur kjo nga OBSH është thënë se vlen vetëm për fëmijët dhe moshat e reja. /noa.al/

Vizitat në shtëpinë e tij infektuan dhjetëra familjarë, ndërron jetë babai i pacientit të parë me koronavirus në Shkodër