Ditën e sotme ka ndërruar jetë babai i pacientit të parë të konfirmuar me Covid-19 në qytetin e Shkodrës, në lagjen e Dobraçit,
Ai ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, teksa mësohet se kishte tre muaj në gjendje kome, e ndërsa nuk dihet ende nëse ai ka qenë i infektuar apo jo. I moshuari me inicialet E.L., do të përcillet për në banesën e fundit pasditen e sotme në masa të rrepta sigurie. Për këtë arsye, shtëpia e tyre po ruhet nga efektivë policie.
Kjo familje në lagjen e Dobraçit në qytetin e Shkodrës ka qenë një nga vatrat kryesore të transmetimit të COVID-19 në rrethet familjare, raporton ‘shqiptarja’.
Për këtë rast ka pasur edhe një reagim nga ministria e Shëndetësisë, ku u tha se ndonëse ka pasur të konfirmuar me COVID-19 persona të kësaj familjeje, nuk ishin ndalur vizitat për të parë të moshuarin i cili ishte në gjendje të rëndë. madje ministria tha se ka pasur rreth 20 vizitorë në shtëpi njëkohësisht, për të parë të moshuarin.
Shkodra është qyteti i dytë më i prekur në Shqipëri, pas Tiranës ku në total numërohen 49 raste. Ky qytet ka njohur një shpërthim të menjëhershëm të virusit, kur pjesa më e madhe e të infektuarve janë nga dy rrethe familjare. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje qytetarëve që në këtë periudhë të shmangen vizitat familjare, por një gjë e tillë nuk është respektuar në kryeqendrën e Veriut duke sjellë një numër të madh të të infektuarve brenda një harku kohor shumë të shkurtër.