Koronavirusi/ Flet mjeku epidemiolog: Kemi vatra ku mund të shpërthejnë 50 raste në ditë
Transmetuar më 07-04-2020, 22:22

Mjeku epidemiolog, Alban Ylli, ka folur në lidhje me situatën e koronavirusit në Shqipëri duke thënë se duhet treguar kujdes pasi sipas tij ka ende vatra në të cilat mund të shpërthejnë 50 raste në ditë.

Ylli theksoi se në mesin e prillit mund të ketë rritje të pasojave nga koronavirusi në vend, por pas kësaj, duke filluar nga gjysma e dytë e muajit që jemi, sipas tij pritet të ketë një rënie.

Më tej, mjeku u shpreh se ka shenja optimiste sa i përket pandemisë Covid-19, ku shumë vende duket se e kanë kaluar pragun e pikut dhe në to kanë nisur shenjat e rënies.

"Është e vështirë të bësh një parashikim të saktë por modelet dhe skenarët ekzistojnë. Më të mundshmit janë që në mesin e Prillit të shkojë një rritje e dëmeve por pas kësaj, presim një rënie. Nuk duhet ulur vigjilenca apo të krijojmë iluzione se gjithçka mbaroi.

Masat të zbatohen se do të ishin një gabim i madh. Kemi ende vatra në Shqipëri që mund të shpërthejnë 50 raste në ditë pse jo. Duhet të kemi strategji për gjurmimin e tyre por nga ana tjetër të vijojmë të mbajmë hapur spitalet e dedikuar edhe gjatë Majit pse jo.

Të kontrollojmë eventet që krijojnë turma dhe të përdorim teknika inovative si matja në distancë e temperaturës etj për të pritur vaksinën që shpresoj të vijë nga fundit i vitit. Ka shenja optimiste, ka vend për t’ju dhënë njerëzve mesazhe optimiste, shumica e vendeve duket se e kanë kaluar pragun e pikut të pandemisë, kanë filluar shenjat e rënies, në Europën Qëndrore duket se ka pasur sukses", tha ai për Faxnews./a.k/noa.al/

Loading...