Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka sjellë një lajm të mirë sa i përket kurbës së koronavirusit në vendin tonë.
Aktualisht, kurba në vendin tonë është në sheshpushim apo vijë horizontale, ndërkohë që kulmi ka qenë javën e kaluar.
Në një intervistë për News24, Pipero tha: “Unë do ta quaj një thyerje të kurbës dhe besoj nga fillimi i javës tjetër do të kemi rënien e qëndrueshme të epidemisë. Tek do të zgjasë pak më shumë por do të jetë më e qëndrueshme. Kurba e epidemive ndjek një logjikë të saj. Pasi arrin pikun rri në një nivel për një javë. Do të kemi çdo ditë më pak raste”.
Mjeku theksoi se nga fundi i qershorit do të përfundojë mbyllja, por mund të ketë rikthim në fundin e vjeshtës apo fillimin e dimrit. Megjithatë, rikthimi ekziston edhe në dy-tre javët e para nëse nuk tregohet kujdes për këshillat e ekspertëve.
“Rreziku për t’u rikthyer kjo epidemi vazhdon të jetë eminent. Nëse qytetarët kanë dalë për qejf dhe jo për të blerë ushqime, nuk respektojmë distancën, nuk mbajnë maskë do të thotë që mbas dy-tre javësh të kemi një tjetër kërcitje të epidemisë. Duhet të vazhdojmë të kemi shumë kujdes. Me fillimin e rënie të kurbës, disa masa do të lehtësohen. Por, kjo nuk do të thotë të mos kemi më kujdes. Nga fundi i qershorit do të përfundojë mbyllja. Nuk them vetëm për vendin tonë por edhe vendet e tjera. Bota është e vogël”, tha Pipero./a.m/noa.al