Kompania “Gilead Sciences” me seli në Kaliforni të SHBA-së njoftoi sot se ka vendosur të shpërndajë 1.5 milionë doza remdesivir, falas, të cilat do të përdoren në 140 mijë raste pacientësh të infektuar nga ky virus.
Kompania “Gilead” thotë se remdesivir, i zhvilluar fillimisht si një ilaç kundër Ebolës, është efikas në luftën kundër koronaviruseve, përfshirë këtu edhe sindromën akute respiratore apo SARS, që ka mjaft ngjashmëri me virusin e ri, COVID-19.
Kohët e fundit, ky medikament dha efekte mjaft pozitive në pacientin e parë amerikan me koronavirus gjatë kohës që ai mbahej në spital, ndaj “Gilead” vendosi të shpërndajë falas 1.5 milionë doza remdesivir, por nuk përcaktoi nëse shpërndarja do të lokalizohet vetë në SHBA apo në të gjithë botën.
Në fakt, pacientë nga e gjithë bota të prekur nga COVID-19 kanë bërë kërkesë për të qenë pjesë e këtij projekti që po zhvillohet me medikamentin anti-viral remdesivir, i cili mund të ndihmojë për të luftuar këtë sëmundje vdekjeprurëse.
Interesi ka qenë kaq i madh saqë Instituti Amerikan i Shëndetit e ka intensifikuar akoma më shumë studimin e remdesivir, i cili e ka arritur qëllimin e tij fillestar duke u aplikuar tek 440 pacientë. /e.i/noa.al/