NOA REDAKSIONALE/ Njerëzit po dynden të bëjnë pazare për mbijetesë, jo për t’u argëtuar!
Transmetuar më 04-04-2020, 13:49

Zgjidhja funksionale për të shmangur dyndjen që rrezikon përhapjen e koronavirusit

Që nga dita kur Edi Rama vendosi orarin 05.00 deri 13.00 nga e hëna në të shtunë për të bërë blerje dhe kufizimi i mëtejshëm, një orë në ditë leje-dalje, njerëzit po dynden gjithnjë e më shumë për të plotësuar nevojat familjare për mbijetesë.

Këto kufizime, po tregojnë çdo ditë e më shumë, se janë të gabuara. Situata mund të rëndohet edhe më shumë pasi është paralajmëruar për të hënën, burgosja e qytetarëve që dynden në radhë. Kjo do të ishte edhe më e gabuar nëse nuk shoqërohet me liberalizim të plotë të lëvizjes për arsye blerjesh të nevojshme.

Është e vërtetë se kërcënimi me burg është një mënyrë për të stepur njerëzit, por jo në kohën që po jetojmë: Njerëzit po dynden për të bërë pazare dhe jo për t’u argëtuar, sepse dhe nëse duan, nuk kanë se ku. Sado t’i kërcënosh me burg, ata do të ushqejnë veten dhe familjen, ndaj as burgu dhe as diçka tjetër më ekstreme nuk do t’i ndalë. Ndaj kjo masë e re, mund të rrezikojë acarimin e qytetarëve deri në trazira, për vetë faktin se do të ishte një frustrim i shtuar në këtë situatë më së paku, depresive. Për të mos folur pastaj për "bombën" tjetër, të futësh në burg njerëzit e patestuar, duke rrezikuar të përhapësh koronavirusin edhe në qelitë e izolimit, çka do të ishte efekt i frikshëm zinxhir dhe ushqim për një kaos të pakontrolluar brenda dhe jashtë burgjeve.

Zgjidhja është më e thjeshtë, më e pranueshme dhe më funksionale: Orari i njësive tregtare, (jo i punës për sektorët e tjerë) duhet të jetë i pakufizuar, mundësisht 24 orë në ditë. E tillë duhet të jetë edhe hapësira për lëvizje e njerëzve, e pakufizuar.

Një qytetar për familje, mund të zgjedhë orarin për të dalë, duke aplikuar në sistemin e ngritur nga E-Albania, duke zgjedhur jo orën që dëshiron, por orën që sistemi përllogarit duke shmangur fluksin. Për shembull: Nëse në lagjen nr 1 të një qyteti, në orën 12.00 ka një fluks të pranueshëm prej 100 personash që u është miratuar dalja, nëse të tjerë dëshirojnë të dalin në atë orë për të bërë pazaret, sistemi u ofron orën e mëvonshme 13.00 ose një orë tjetër që mund të zgjidhet nga qytetari, në mënyrë të atillë që në asnjë prej orëve të daljes të mos ketë mbipopullim.

Kjo është një zgjidhje funksionale dhe AKSHI që menaxhon e-Albania e ka shumë të thjeshtë ta aplikojë këtë.

Duke qenë dyqanet hapur gjithë kohës dhe duke u ekuilibruar ngarkesa e lëvizjeve me shpërndarje në orë të ndryshme, garantohet shmangia e mbipopullimit dhe për rrjedhojë shndërrohet në një vlerë të shtuar të ngadalësimit të infektimit nga COVID-19.

Në të kundërt, njerëzit do të kenë vetëm pak orë në dispozicion, pjesa më e madhe do të dynden afër fundit të orarit, diku rreth 12.00 deri 13.00 dhe infeksioni gjen terren të bollshëm për t’u përhapur.

Dhe nëse as kjo masë e re nuk funksionon, njerëzit nuk alternojnë ndërgjegjen me kushtet e përshtatshme për të plotësuar nevojat e kësaj mbijetese, atëherë alternativat ndëshkuese mund të ofrohen lirisht nga qeveria, si gur i fundit për të pabindurit.

Loading...