Transmetuar më 03-04-2020, 11:46

Gjate 24 orëve të fundit janë lejuar të kalojnë  kufirin rreth 100 emigrantë, të cilët prej orësh ishin të bllokuar në Kapshticë.

Drejtoria e Policisë Kufitare është shprehur se kjo ka qenë një tolerancë e fundit e treguar nga dogana shqiptare, pasi nga sot dhe ditët në vijim nuk do të lejohet të kalojnë asnjë shtetas pa marrë autorizimin në Ambasadën Shqiptare që ndodhet në Greqi, ku në këtë të drejtë përfshihen rastet emergjente dhe studentët.

Nga ana tjetër sot situata paraqitet e qetë dhe nuk ka prezencë të emigranteve shqiptarë të cilët presin të kalojnë kufirin.

Një ditë më parë edhe Kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër në deklaratën e tij drejtuar shqiptarëve që duan të kthehen në vendin tonë, ndërkohë iu bëri atyre thirrje që mos të tentojnë të vijnë në kufi. Ai tha se shqiptarët duhet të rrinë atje ku janë për momentin.

“Mos kërkoni dhe mos tentoni të vini sepse kufiri është i mbyllur. Ne nuk jemi një vend që mund të përballojmë hapjen e kufijve dhe të mbledhim të gjitha bombat këtu ndërkohë që jemi duke iu afruar mesit të kësaj lufte. Ruani veten tuaj dhe familjet tuaja. Rrini atje ku rrini”, tha Rama./b.l/noa.al/