Transmetuar më 02-04-2020, 19:07

Më shumë se 95% e atyre që kanë vdekur nga koronavirusi në Evropë janë mbi gjashtëdhjetë vjeç, por kjo gjë nuk duhet t’i bëjë të rinjtë të ndihen të pamposhtur.

Drejtori rajonal për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetit, dr. Hans Kluge thotë se mosha nuk është i vetmi faktor rreziku për efektin që ka virusi te trupi i njeriut. “Nocioni se COVID-19 prek vetëm moshat e vjetra është i gabuar”, tha ai në një video konferencë shtypi të mbajtur në Kopenhagë, raporton noa.al. “Të rinjtë nuk janë të pamposhtur,- shtoi ai.

Këto komente i bashkohen deklaratave të ngjashme të bëra nga kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebreisus. Sipas organizatës së drejtuar prej tij, 10% deri në 15% të personave nën 50 vjeç të infektuar nga ky virus i përkasin rasteve të moderuara apo të rënda.

“Kemi pasur një sërë rastesh personash adoleshentë apo te të njëzetat, të cilët janë dashur të mbahen në trajtim intensiv apo raste të tjera ku për fat të keq kanë ndërruar jetë”, paralajmëroi Kluge. /e.i/noa.al/