Transmetuar më 02-04-2020, 18:56

Një burrë nga Korça nuk arrin të mbajë dot lotët kur bëhet fjalë për familjen dhe kushtet ekstreme ku jetojnë. Kryefamiljari Deni që jeton në fshatin Orman ka punuar dikur në emigracion, por tani ka rënë nën kthetrat e mjerimit dhe nuk arrin ti sigurojë kushtet minimale dy vogëlusheve të tij.

Kriza e koronavirusit e ka vështirësuar akoma më shumë situatën, por bën të pamundurën që vajzat e tij dhe bashkëshortja të kenë diçka për të ngrënë. Në apelin për Abc News, kërkon që dikush t’ju vijë në ndihmë në këtë situatë të vështirë.

“Vajzat e pa qumësht e pa gjë janë. S’ka asgjë, çfarë t’i bëj. Vete torturohem ku të gjej ndonjë lugë qumësht për vajzat. Vajta i mora një shoku 20 mijë leka borxh dhe bleva një pako bebelina për fëmijët. Gjithmonë kam punuar. Edhe tani rashë ngushtë. Vetëm lagja që më ka ndihmuar ndonjë herë, që i ndihmoj për punë. Ngarkoj makina, ngarkoj të tëra dhe asgjë hiç. Zanat kam po s’ka punë. Edhe nuk lejohet që të dalim në punë. Se tani siç ka ardhur kjo kriza e këtillë, kjo sëmundje, nuk dimë si t’ia bëjmë”, thotë Deni.

Ndërsa nëna e dy të miturave, gati me lot në sy shprehet:

“Fëmijët më qajnë për bukë. Ndonjë herë i vejm dhe pa bukë në gjumë. Fasule hajmë. I vejmë atje të ziejnë. Vaj s’kemi, me ujë ashtu, pa salcë pa gjë.”

Deni është vetëm 31 vjeç, ka zanat, por nuk gjen punë. Dikur punonte si hamall në të zezë, por izolimi nga koronavirusi i ka mbyllur çdo mundësi dhe nuk ka si të sigurojë të ardhurat./noa.al