Transmetuar më 01-04-2020, 20:48

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, kritikoi kryeministrin Edi Rama për shtyrjen e afatit të karantinimin të qytetarëve, për shkak të përhapjes së pandemisë.

Në një video-mesazh në Facebook, Vasili thekson se asnjë vend në botë nuk e ka zgjatur kaq gjatë karantinën, edhe pse janë më të prekura se ne nga COVID-19. Sipas tij, arsyeja e bllokimit të jetës së vendit është mos pasja e testimeve për koronavirusin.

“Sapo dëgjuam që bllokimi i jetës së vendit, karantina, do të jetë pa afat. Po si mundet të dashur miq, që të jetë një karantinë pa afat? Cili vend evropian ka ndërmarrë karantinë pa afat? Italia, vendi më i goditur në botë, ka marrë afate. Si mund të bllokohet vendi pa dhënë arsye?

Ua shpjegoj unë arsyen. Duke mos pasur testime, pra duke mos njohur situatën e pandemisë. Testimet janë i vetmi instrument për të ditur cila është situate reale. Kjo situatë reale po fshihet qëllimisht nga qeveria. Numri i testimeve është aq i kufizuar, sa është katandisur në numër qesharak. Dhe ju shikoni një monotoni shifrash, që justifikon shtyrjen e ditës, por nuk ju jep shqiptarëve asnjë të dhënë”, u shpreh Vasili.

Sipas tij, “Ne jemi kuturu, kemi thjesht dhe vetëm një kryeministër, që ka një kurajo të mahnitshme, të krahasohet vazhdimisht me SHBA. Unë jam vetë një punonjës i vjetër i shëndetit publik, kam pas përgjegjësinë të drejtoj përballim pandemish, por të kisha kurajo të thoja se fuqia jonë shkencore është e njëjtë me atë amerikane, të më ndjeni por nuk ja kam lejuar vetes kurrë. Nuk e kam thënë dhe nuk mund ta them kurrë.

Po ju kujtoj disa momente që të kuptoni se në ç’marrëzi jetojmë. Kur u konstatuan maskat e skaduara, Rama doli e tha se nuk ka nevojë për maska. Kur OBSH tha të kryheshin sa më shumë testime, Rama doli e tha se në Zvicër nuk bëhen testime”.

Më tej ai shprehet se, “Tendecat në botë janë për një dominim të pandemisë. Vendet më të prekura, si Italia, më në fund kanë arritur pikun. Bota do dalë dhe ne do dalim nga pandemia. Do donim të dilnim ndryshe. Qytetarëve iu privohet e drejta për të bërë teste, ndërkohë që Kosova është shumë më e vogël se ne dhe blenë mijëra teste. Koha e fjalëve ka mbaruar. Askush nuk mund të komandojë jetën”.