Transmetuar më 01-04-2020, 20:17

Policia e Shtetit ka dorëzuar një kallëzim në Prokurori, për “Spitalin Amerikan”, lidhur me testimet që kryhen në këtë spital për koronavirusin Covid-19.

Këtë lajm e ka konfirmuar kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj.

“Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, konfirmoi për “Vizion Plus” se Policia e Shtetit ka bërë një kallëzim pranë organit të akuzës për të nisur hetimet për mashtrimet që po iu behen qytetarëve shqiptare me testet, në kushtet e pandemise. Prokuroria e Tiranës do të hetojë subjektin privat, Spitali Amerikan, sipas nenit 267 të Kodit Penal për përhapjen e informatave të rreme që ngjallin panik si dhe bazuar ne nenin 174 të Kodit Penal për kontrabande me mallra të tjera“, thuhet në kronikën e televizionit.

Organi i akuzës do të hedhë shortin për të caktuar se cili prokuror do të hetojë këtë çështje.

Noa.al kërkoi një reagim nga Allajbeu i cili tha se nuk dëshiron të japë një koment. Ai tha se e konsideron një debat pa përmbajtje në të cilin nuk dëshiron të përfshihet.

Një ditë më parë Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore njoftoi se deri më tani nuk ka lëshuar asnjë Certifikatë regjistrimi për Reagentët In Vitro për subjektet private, për diagnostikimin e COVID-19.