Transmetuar më 01-04-2020, 19:24

Ndonëse ambasada e Greqisë në Shqipëri një ditë më parë përmes një deklarate tha se pala greke në doganë nuk i ndalonte shtetasit shqiptarë, madje se nuk do të penalizohen edhe në rast se ju mbaron afati i lejes së qëndrimit, në doganën e Kakavijës sot raportohen sërish probleme.

Mësohet se sot të paktën 40 shqiptarë janë bllokuar në doganën e Kakavijës që prej orës 02:00 të mëngjesit. Mes tyre ka dhe fëmijë. Moti i keq dhe i ftohti po kthehet në një torturë të vërtetë për shqiptarët që janë riatdhesuar nga Greqia. Ata kërkojnë që autoritetet shqiptare të veprojnë sa më shpejt.

Ndërkohë e njëjta situatë duket se paraqitet edhe në pikën kufitare të Kapshticës. Burimet bëjnë me dije se pala shqiptare ka lejuar ditën e sotme vetëm ata që kanë pasur autorizime nga Ministria jonë e Jashtme, studentë dhe persona me probleme shendetësore, për të kaluar.

Ndërkohë mbi 25 shtetas të tjerë shqiptarë kanë mbetur ne tokën neutrale me shpresë për të hyrë në tokën shqiptare. Policia greke ka lejuar kalimin e tyre normal, por pala shqiptare nuk i lejon.  Mes tyre ka burra, gra dhe fëmijë të cilët po qëndrojnë në pritje jashtë në temperatura aspak të favorshme./b.l/noa.al/