Transmetuar më 01-04-2020, 18:53

Qeveria italiane ka njoftuar ditën e sotme vendimin për zgjatjen e afatit të masave shtrënguese të marra në vend me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 deri më 13 prill.

“Qëllimi ynë është ulja e numrit të rasteve pozitive, ulja e numrit të vdekjeve dhe shmangia e një kolapsi të sistemit tonë shëndetësor”, shpjegoi ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza gjatë një seance dëgjese në Senat për sa i përket situatës së emergjencës që ka shkaktuar përhapja e koronavirusit në vendin fqinj.

“Pa një vaksinë, ne nuk do të arrijmë dot kurrë ta mposhtim virusin dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm që për një periudhë të konsiderueshme do të na duhet të menaxhojmë këtë fazë tranzicioni në mënyrë që të shmangim shpërthimin e vatrave të tjera”, shtoi ai.

Ndërkohë, bilanci në Itali, në epiqendrën e koronavirusit në Evropë, vazhdon të jetë tragjike.  24 orët e fundit, vendi regjistroi 727 jetë të humbura duke e çuar në 13.155 numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi. Vetëm në Lombardi u regjistruan 394 të vdekur.

Raportohet se këto 24 orë janë infektuar edhe 4.782 njerëz që e çon në 110.574 numrin total të të prekurve nga COVID-19. Në orët e fundit, Lombardia regjistroi 1.565 të infektuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 1118 persona duke e çuar në 16.847 numrin e të shëruarve. Aktualisht kanë 80.572 njerëz të infektuar nën mbikëqyrje mjekësore ndër të cilët rreth 4 mijë janë nën terapi intensive. /e.i/noa.al/