Transmetuar më 01-04-2020, 16:06

Një qytetar nga Durrësi është ankuar se prej disa ditësh ka shenja të koronavirusit, por numri i urgjencës nuk i është përgjigjur.

55-vjeçari, i cili punon si roje i Muzeut të Durrësit pati simptoma që në datën 12 mars, së bashku me djalin. Ndonëse thotë se mund ta ketë kaluar virusin, në një lidhje telefonike me Abc News, dëgjohen shpesh kollitjet e tij, një ndër shenjat që kanë pacientët e infektuar me Covid-19.

‘Kam 21 ditë nuk më pushon kolla. Kam shqetësime të brendshme, diarre dhe kollë. Jetoj me pesë pjesëtarë tjerë, nuk kam si të izolohem, edhe pjesëtarët e tjerë kanë filluar të shfaqin shenja. Djali nuk ka oreks duket i lodhur. Jam 55 vjeç, numrin, adresën ja kam dhënë 127 dhe nuk kam marrë asnjë reagim’, tha burri i identifikuar me inicialet G.K.

Ai ka vizituar edhe një spital privat për të bërë grafi, por nuk ka marrë asnjë reagim për të bërë tamponin e koronavirusit.

‘Jam kontrolluar në një spital privat. Kam bërë grafinë e mushkrive dhe thjesht më dhanë ilaçe. 21 ditë me mjekime, por nuk ka ndryshuar asgjë. Që në datën 12 të këtij muaji ka tentuar të kontaktoj me 127, por asnjë përgjigje. I kam shkruar edhe kryeministrit dhe nuk më është përgjigjur’, tha burri./a.m/noa.al