Kosovë, hiqen tarifat ndaj mallrave serbe
Transmetuar më 31-03-2020, 21:36

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga e marta hiqen tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe fillon vendosja shkallë shkallë e masave reciproke ndaj Serbisë.

“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm të mbarëvajtjes së këtij vendimi”, tha zoti Kurti, duke theksuar se “me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100 për qind pa asnjë shtesë tjetër”.

Siç raporton VOA, tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe u vendosën në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes agresive të Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kjo çoi në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të refuzimit të Beogradit që të ulet në tryezën e bisedimeve derisa nuk hiqen tarifat.

Ish kryeministri Haradinaj rezistoi trysninë ndërkombëtarë për heqjen e tyre deri në korrik të vitit 2019 kur dha dorëheqje për t’u paraqitur në Hagë ku u thirr nga prokuroria e posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. Rënia e qeverisë së tij ishte rrjedhojë e përplasjeve edhe të brendshme për shkak të tarifave.

Qeveria e re e Kosovës që doli pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019, u gjet nën trysni posaçërisht të Shteteve të Bashkuara për heqjen e tërësishme të tarifave të cilat u shprehën të pakënaqura me qëndrimin e zotit Kurti për heqjen e pjesshme të tarifave.

Mospajtimet rreth kësaj çështjeje përfshinë edhe marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kulmuan me rrëzimin e qeverisë Kurti më 25 mars.