Dërgimi i 30 mjekëve në Itali, Al Bano Carrisi mesazh shqiptarëve: Do këndojmë bashkë “Felicita”
Transmetuar më 31-03-2020, 14:27

Këngëtari Al Bano Carrisi ka vlerësuar dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, në mbështetje të vendit të tij në betejën me koronavirusin.

Nëpërmjet një video-mesazhi dërguar gazetares Zenepe Luka, ai thotë se gjesti që ka bërë Shqipëria kundrejt Italisë është me të vërtetë jashtëzakonisht mbresëlënës.

Ai thotë se është i paharrueshëm nga ana njerëzore dhe se ky veprim do të forcojë edhe më shumë lidhjen humane që ekziston midis Shqipërisë dhe Italisë.

“Do të forcojë akoma më shumë nga ana kulturore edhe njerëzore, këtë lidhje kaq të fortë që ekziston midis këtyre dy popujve! Dhe do të vijë ai moment kur këtij virusi të mallkuar do t’i vijë fundi. Edhe do të festojmë së bashku funeralin e këtij virusi të mallkuar që po shkatërron gjysmën e botës. Është me të vërtetë në një farë mënyre një Luftë e Tretë Botërore, që ne duhet ta fitojmë. Unë i sugjeroj popullit shqiptar të qëndrojë në shtëpi. Sa më shumë ne të qëndrojmë në shtëpi, aq më të mëdha janë shanset që ky virus të qëndrojë jashtë shtëpive edhe jetëve tona. Jam shumë i bindur që këtij virusi do t’i vijë fundi edhe do të vijë koha që të këndojmë edhe këngën “Felicita”, përse jo. Një përqafim popullit shqiptar, edhe ty Zenepe”, thotë këngëtari italian. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE