Një tjetër përplasje regjistrohet brenda kabinetit qeveritar të kryeministrit Rama. Ndërsa ky i fundit njoftoi tri ditë më parë publikimin e emrave të shqiptarëve që po kthehen së fundi nga jashtë, ministria e Brendshme refuzon të zbatojë urdhrin e Ramës.
Të shtunën, nisi kthimi në Shqipëri me avionë, i rreth 1400 qytetarëve që kishin ngelur në rrethana të ndryshme jashtë vendit.
Kryeministri Rama njoftoi se që për grupin e parë që u kthyen nga Italia, do të publikoheshin emrat e tyre në përpjekje për të frenuar përhapjen e infeksionit të koronavirusit.
"Lasgushi ka sjellë një grup të parë nga Italia dhe Policia e Shtetit do të publikojë emrat e tyre dhe të të gjithë atyre që do kthehen, sipas një praktike të dobishme të disa vendeve, në mënyrë që po e shkelën ligjin e vetëkarantinimit askush që i njeh të mos u afrohet!", ishte deklarata e z.Rama.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit si drejtori në varësi të saj, nuk i publikuan emrat as të grupit të parë dhe as të të tjerëve që vijojnë, duke shpërfillur deklaratën e Ramës. Noa.al kërkoi informacion mbi këtë dhe mësoi nga ministria e Brendshme se ajo as ka publikuar emrat dhe as ka ndërmend ta bëjë këtë, duke kujtuar faktin se e ndalon ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.
Kjo është e vërtetë, po aq sa fakti se jemi siç thotë Rama, në situatë lufte ndaj siç sërish thekson ai teksa flet për nxjerrjen e emrave, "ndjesë 1000 herë edhe për këtë, po ecuria deri këtu pozitive e luftës së madhe që po bëjmë, nuk mund të cënohet nga papërgjegjshmëria e askujt!".
Për më tepër, edhe sot Policia e Shtetit evidentoi shqiptarë të ardhur, të cilët duhet të ishin në vetëkarantinim, por kur iu bë kontroll në shtëpi, nuk gjendeshin.
Pas kësaj deklarate të Ramës, lind pyetja: Kush po e cenon me papërgjegjshmëri luftën ndaj koronës?