Kosovë, miratohet Paketa Emergjente Fiskale. Kush përfiton
Transmetuar më 30-03-2020, 23:38

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar Paketën Emergjente Fiskale nga e cila pritet të mbështeten bizneset, pensionistët, anëtarët e skemave sociale, komunat dhe pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore.

Mjetet për financimin e paketës emergjente, qeveria në detyrë synon që t’i sigurojë përmes kredisë në institucionet financiare ndërkombëtare dhe emetimit të letrave me vlerë.

Projektvendimi është votuar në Qeverinë e Kosovës.

Paketa Emergjente Fiskale përmban masat si në vijim:

– Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit të skemave sociale për muajin prill dhe maj, masë kjo në vlerë deri në 7 milionë e 650 mijë euro, përfshirë këtu edhe pagesën e realizuar për muajin mars.

– Pagesa shtesë në vlerë prej tridhjetë euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ultë se njëqind euro, për muajin prill, maj dhe qershor, me kusht që të jenë përfi tues vetëm të një skeme; si dhe rikthim në listat e përfituesve për përfituesit që për shkak të mos-paraqitjes apo mos-vlerësimit në periudhën janar – mars 2020, nuk u janë rinovuar të drejtat e tyre. Kjo masë është në vlerë deri në trembëdhjetë milionë euro.

– Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, si në vijim:

-Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej njëqind e shtatëdhjetë euro, për muajin prill dhe maj, masë kjo deri në 41 milionë euro.

– Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo në vlerë prej 12 milionë euro.

– Mbulimi i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim për muajin Prill dhe Maj, deri në vlerë prej 8 milionë euro.

– Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, me qëllim të sigurimit të likuiditetit të përkohshëm të tyre, me kthim deri më 31.12.2020, në vlerë deri në 20 milionë euro.

– Sigurimi mbështetjes shtesë financiare për Komunat e Republikës së Kosovës që janë ndikuar në përballje me pandeminë, në rast nevoje për shkak të zgjatjes eventuale të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në 10 milionë euro.

– Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin Prill dhe Maj deri në vlerë prej 15 milionë euro.

– Pagesë shtesë në vlerë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive për majin prill dhe maj, në vlerë deri në 3 milionë euro.

– Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin prill, maj dhe qershor, në vlerë der i në 4 milionë euro.

– Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, që janë goditur më rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në 2 milionë euro.

– Sigurimi i likuiditetit financiar për:

Mikrondërmarrjet dhe të vetë-punësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit për Garantimin Kreditor të Kosovës, në shumën 10,000 euro për periudhën 24 muajsh, në vlerë deri në 15 milionë euro.

Shoqëritë Tregtare/Kompanitë të autorizuara që ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar në 1.4. të këtij vendimi.

–Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.0 0 €) euro.

– Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej 5 milionë euro.

– Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, vlerë prej në vlerë prej 10 milionë euro.

– Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga 130 euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në 6 milionë euro.

– Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për m uajin prill, maj dhe qershor, në vlerë deri në 3 milionë euro.

Me vendimin e aprovuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës është autorizuar Ministria e Financave dhe Transfereve që të miratojë kriteret, afatet, kushtet, mënyrën e zbatimit si dhe të gjitha specifikat tjera të nevojshme për zbatimin e tyre, sipas parimeve të menaxhimit të financave publike.

Vendimi obligon gjithashtu të gjitha organizatat buxhetore/institucionet përkatëse për zbatimin e vendimit dhe të vendimeve që do të nxirren nga ministria për zbatimin e tij.

Loading...