Transmetuar më 30-03-2020, 16:32

Koronavirusi ka pezulluar një pjesë të madhe të kampionateve në Europë, si dhe nuk kanë munguar rastet e futbollistëve të infektuar.

Presidenti i UEFA, Aleksander Ceferin tha sot se sezoni 2019-2020 mund të humbasë nëse nuk rinis deri në fund të qershorit 2020.

Ceferin shtoi se UEFA ka plane për të ardhmen, por gjithçka bazohet në atë çfarë do të ndodhë në javët apo muajt në vijim.

“Nëse nuk do të kemi sukses në rinisjen, ky sezon me shumë mundësi do të humbë. Kemi tre plane: A, B dhe C, për të rifilluar ndeshjet ose në mes të majit, në fillim ose në fund të qershorit. Një tjetër mundësi është të rinisim fundin e këtij kampionati në fillim të sezonit të ardhshëm dhe pasardhësin ta nisim më vonë. Do të shqyrtojmë mundësinë më të mirë për kampionatet dhe klubet”, tha Ceferin për gazetën italiane La Repubblica.

Kanë mbetur 9-12 javë që të mbyllen të gjitha kampionatet, të cilat mund të vazhdojnë ndeshjet e tyre me dyer të mbyllura.

Por nëse situata nuk do të ketë përmirësim, atëherë nuk do të mbetet mundësi tjetër veçse t’i jepet fund të gjitha kampionateve dhe ky sezon futbollistik të dështojë./a.m/noa.al