Transmetuar më 30-03-2020, 15:17

Emergjenca ndaj Covid-19 ka detyruar edhe futbollin anglez të ndalet, të paktën deri më 30 prill. Pavarësisht këtij afati paraprak, në ishull po studiojnë çdo opsion për të rinisur futbollin në vend.

Premier League mund të transformohet në një format të ngjashëm me atë të botërorit për klube, 20 skuadra të izoluara për të zhvilluar 6 javë me dyer të mbyllura.

Sipas parashikimeve më të mira përllogaritet të luhet mes qershorit dhe korrikut, ndeshje të cilat do të zhvillohen vetëm në disa stadiume të përzgjedhura me kujdes.

Ky është propozimi i fundit i disa klubeve angleze për ti dhënë fund këtij sezoni. Kjo ide e bërë publike nga “Independent”, parashikon ndër të tjera që klubet të izolohen në resortet e tyre, lojtarë, trajner, stafe mjekësorë, të gjithë të karantinë ku do të dalin nga resortet vetëm për të zhvilluar ndeshje, në mënyrë për të shmangur sa më shumë kontaktet.

Kjo ide mund të mbështet edhe nga Federata Angleze e Futbollit e cila ashtu si klubet kërkojnë ti japin fund këtij sezoni.