Transmetuar më 30-03-2020, 00:24

Për të tretën herë radhazi, Tirana po përjeton 40 orë izolim të plotë. Dyert e shtëpive u mbyllën në orën 13:00 të së shtunës dhe mund të rihapen në 05:00 të së hënës.

Askush nuk e shijoi dot diellin e së dielës në parqe apo rrugë. Ato u shkelën vetëm nga mjetet e policisë e të ushtrisë dhe efektivët në detyrë në postblloqe.

Rol në skenën boshe të kryeqytetit kishin edhe punonjësit e pastrimit, kategori e përjashtuar nga izolimi. Ata vijuan detyrën në qytetin që nuk ndotet më si më parë.

Heshtja nuk i përkiste vetëm rrugëve kryesore, por edhe rrugicave në komplekset e banimit.

Përgjigjen nëse kjo vjen për shkak të frikës nga gjobat, apo ndërgjegjësimit, mund ta japin vetëm qytetarët. Fakt është se, Tirana, këtë të diel, është më bosh se asnjëherë tjetër.