Transmetuar më 29-03-2020, 21:45

Një infermier në Manhattan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sjell dëshmi rrënqethëse për të treguar sipas tij, se sa serioze është situata e krijuar nga koronavirusi.

Kur i kishin mbetur vetëm pak orë nga turni i punës, këtë të dielë, ai pa jashtë ndërtesës së spitalit kamionët-frigoriferë, të cilët janë vendosur si morgje të përkohshëm.

Sipas dëshmisë së tij, që e sjell, buzzfeednews.com, brenda kamionit ndodheshin trupat e personave që kishin ndërruar jetë si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi.

Ai eci drejt kamionit, hapi dyert dhe shkrepi foton që të jep trishtim.

“E shkrepa që t’ua tregoj njerëzve. Ky është realiteti i tmerrshëm me të cilin ne përballemi dhe në të cilin shumica prej nesh kanë përfunduar tashmë,”-shprehet ai.

Ai tregon gjithashtu se gjatë së shtunës, kishte qëndruar pranë një pacienteje, duke i mbajtur dorën teksa ajo jepte shpirt.  Pacientja në fjalë ishte 71-vjeçe dhe kishte kishte rezultuar pozitive për koronavirusin një javë më parë. Ajo ishte dërguar në shtëpi dhe u kthye në spital të shtunën me probleme në frymëmarrje. Sipas dëshmisë së tij, tashmë, trupi i së ndjerës ndodhet në kamion.

Kamionët-frigoriferë janë vendosur jashtë spitalit në Manhattan, për shkak të numrit të lartë të vdekjeve, ndodhur së fundmi nga koronavirusi.

"Një javë më parë ne po udhëzoheshim se si të hiqnim maskat në punë. Tani ne po udhëzohemi se si ti mbajmë ato gjatë gjithë kohës për shkak të rasteve të shumta me koronavirus", tregon infermieri.