Transmetuar më 29-03-2020, 14:04

“Qeveria nuk do të paguajë asnjë qindarkë për lënien pa punë në mars të mbi 1 milion shqiptarëve. Qeveria ka përjashtuar me shumë se gjysmën e shqiptarëve nga paketa gjysmake e ndihmës”.

Është ky denoncimi që bën zyrtari demokrat Dorian Teliti, i cili denoncon dy të vërteta të hidhura.

Ai thotë se vërteta e parë është se qeveria ka përjashtuar nga ndihma ekonomike më shumë se gjysmën e qytetarëve që kanë mbetur pa të ardhura për shkak të masave të jashtëzakonshme dhe e vërteta e dytë është se askush nuk do të paguhet për 18 ditët e marsit, kur shumica e bizneseve u mbyllën dhe qytetarët u futën në karantinë me urdhrin e qeverisë.

Sipas tij, paketa gjysmake e qeverisë parashikon shtrirjen e efekteve nga 1 prilli dhe se kjo do të thotë se marsi nuk përfshihet fare në llogaritë e Edi Ramës për të ndihmuar qytetarët.

Teliti denoncon se në vendimin e fundit të publikuar për fondin e ndihmës gjysmake shkruhet e zeza mbi të bardhë:

“Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë nga COVID-19, por jo më shume se 3 muaj.”

Ndaj në këtë drejtim shton se është e qartë se vendimi i qeverisë ka përjashtuar ndihmën për muajin mars, duke lënë në mëshirë të fatit më shumë se 1 milionë qytetarë.

Për këtë arsye ai pyet se ku do t’i gjejnë paratë ata për të mbyllur këtë muaj dhe pse duhet të shtojnë borxhet kur Edi Rama e kishte në dorë t’ua lehtësonte jetën.

Ndër të tjera shton se hyrja në fuqi në 1 prill e vendimit nuk do të thotë se pagesa do të kryhet menjëherë, por se pas aplikimit nga bizneset, do të duhen të paktën 10 ditë të tjera që të marrin një përgjigje, nëse përfitojnë apo jo nga fondet e pamjaftueshme të vëna në dispozicion.

Për Telitin, lënia pa të ardhura për të paktën 1 muaj nga mbyllja e detyruar e bizneseve është pasojë direkte e vonesës së pajustifikuar dyjavore të qeverisë për hartimin dhe zbatimin e paketës së ndihmës dhe se edhe ato pak masa te lançuara nga qeveria janë gjysmake dhe jotransparente.

Ai shtoi më tej se qeveria nuk ka asnjë përgjigje se:

– Çfarë do të bëhet me rreth 35 mijë biznese të vogla me xhiro deri në 140 milionë lekë që nuk përfitojnë nga paketa e ndihmës?

– Çfarë do të bëhet me dhjetëra mijëra të papunë, që nuk janë pjesë e skemës së papunësisë? Me çfarë do të ushqehen ata?

– Çfarë do të bëhet me rreth 70 mijë familje qe i kanë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike dhe nuk janë përfitues të skemës së Qeverisë? Kush do të kujdeset për ta?

– Çfarë do të bëhet me mijëra ambulantët që nuk janë përfshirë fare në vendimin gjysmak të qeverisë? Si do të ushqehen ata, kur qeveria ka ndaluar aktivitetin e tyre?

“Shteti ka detyrimin që në këtë moment të vështirë të jetë pranë të pamundurve, t’u sigurojë atyre minimumin për të jetuar dhe për t’u ushqyer. Nuk janë paratë e xhepit të Edi Ramës, por parate e taksave të shqiptarëve. Ato nuk duhet të shkojnë tek një grusht oligarkësh dhe financuesish të Edi Ramës. Sot, është më jetike se kurrë, që shqiptarët të marrin ndihmë nga shteti, të mos diskriminohen dhe të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Ky është detyrim ligjor i shtetit dhe jo çështje e dëshirave apo vullnetit të Edi Ramës”, tha në mbyllje Teliti, duke kërkuar rishikimin e paketës së ndihmës. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE