Transmetuar më 28-03-2020, 22:13

Një tjetër person ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus të shtunën në Kosovë, duke e çuar në 91 numrin e personave të prekur me këtë sëmundje.

“Rasti pozitiv është rast kontakti, me vendbanim në Prishtinë”, është thënë në njoftim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se të rinjtë e moshave nga 20 deri në 29 vjeç janë prekur më së shumti nga koronavirusi i ri në Kosovë.

Nga 91 personat e infektuar me këtë sëmundje, 20 prej tyre i përkasin kësaj moshe, ndërkohë që vetëm 9 persona të prekur janë të moshës mbi 70-vjeçare.

Sa i përket gjinisë, 53% e meshkujve janë prekur nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi, në krahasim gratë që përbëjnë 47 për qind të numrit të të infektuarve.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1.917 kontakte të rasteve.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, Qeveria në largim e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.