Transmetuar më 28-03-2020, 22:08

Ndërsa kryeministri përsëriti sërish sot me gjuhë të ashpër se nuk ka varfëri ekstreme në Shqipëri, kjo grua tregon se situata nuk është kaq e bukur. Donika Bajrami është 67 vjeçe. Ajo jeton këtu në Tiranë, por në pikë të hallit.

Është e vetme dhe e intervistuar nga OraNews thotë se nuk ka as pension dhe as ndonjë ndihmë ekonomike.

Me lot në sy e moshuara kërkon vetëm: “bukë për të ngrënë dhe sapun për tu larë”. “Jam e vetme pa asistencë. Më thonë ke televizor, nuk të japim asistencë. Çfarë po bën shteti për mua. Jam e sëmurë me diabet, ku të vete?! Të vetëhelmohem”?!

E tronditur psikologjikisht, e moshuara nuk sheh asnjë dritë shprese si do të vejë jeta e saj, dhe vetëm qan.

Si ia bën për t’u ushqyer?

Nëna nuk i mban dot lotët dhe vetëm qan: Kam një gjitone lart. Më ka sjellë pjatën me gjellë, më ka blerë simiten dhe I them faleminderit shumë. Motra më ka sjellë një pjatë.

"Por nuk di si do vejë puna me mua.  Kërkoj ndihmë bukën e gojës. Me çfarë t’i laj duart? Me çfarë t’i laj? Po ha bukën e mykur, shikojeni”.

E moshuara është nënë e dy fëmijëve, një djali e një vajze, që jetojnë larg dhe kanë familjet e tyre.

Vetë jeton në banesën me qera të cilën e paguan nga lekët që i falin, në lagjen “Kombinat” në Tiranë.