Transmetuar më 28-03-2020, 18:57
Foto ilustruese

Në Kosovë janë regjistruar të shtunën edhe dy raste të të infektuarve me koronavirus, të cilat e çojnë në 90 numrin total të të infektuarve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) tha se nga 38 testimet që janë kryer, dy kanë dalë pozitivë.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Podujevë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Më 22 mars, Kosova ka regjistruar edhe viktimën e parë nga koronavirusi. Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Nga data 8 shkurt 2020 deri me 28 mars 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1029 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, rezultojnë pozitive gjithsej 90 raste me një rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1.875 kontakte të rasteve.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 28 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 623.296 raste të COVID-19 dhe 28.841 raste të vdekjes.

Numri më madh i rasteve raportohet nga SHBA (106.258), Italia (86.498), Kina (81.394), Spanjë (72.248), Gjermani (53.340), Irani (35.408), Francë (32.964), Mbretëri të Bashkuar (17.089), Zvicër (13.377), Holandë (9.762), Belgjikë (9.134), Austria (8.030), Turqi (5.698), duke vazhduar me vendet fqinje Greqi (1. 061), Slloveni (684), Serbi (659), Kroaci (657), Maqedoni e veriut (241), Shqipëri (197) dhe Mali i Zi (82). Deri me 28 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të Bashkuar janë raportuar këto raste të vdekjes: Itali (9.134), Spanjë (5.812), Francë (1.995), Mbretëri të Bashkuar (1.019), Holandë (639), Gjermani (399), Belgjikë (353), Zvicër (242), Turqi (92), Austri (68), Danimarkë (65), Greqi (32), Poloni (17), Luksemburg (15), Hungari (11), Serbi (10), Shqipëri (10), Slloveni (9), Kroaci (5), Maqedoni e veriut (4) dhe Mali i Zi (1).