Transmetuar më 28-03-2020, 16:12

Qyteti i Kinës ku pati pikënisjen koronavirusi pandemik, Wuhan, është hapur pjesërisht pas më shumë se dy muajsh izolim. Turma pasagjerësh u filmuan teksa arrinin në stacionin kryesor të trenave.

Sipas raportimeve, njerëzit lejohen të hyjnë në qytet, por jo të largohen. Një udhëtare tha: “Ka kaluar shumë kohë që prej herës së fundit kur isha në Wuhan. Për shkak të vendit nga vinim, ne, banorët e provincës Hubei, u përballëm me shumë diskriminim. Shpresoj që njerëzit të mos trajtojnë popullin e Hubeit si virus”.

Wuhani është kryeqytet i provincës Hubei dhe aty u shënuan më shumë se 50 mijë raste me koronavirus. Numri i viktimave në këtë zonë është tepër i lartë, mbi 3 000 persona humbën jetën nga Covid-19. Numri i të infektuarve është ulur ndjeshëm në Kinë.

54 raste të reja u raportuan në 24 orët e fundit, të gjithë të ardhur nga jashtë.

Për të frenuar një valë të dytë, qeveria e Pekinit u ndaloi të gjithë të huajve hyrjen në territorin e Kinës.