Transmetuar më 28-03-2020, 13:52

Ish-deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu përsërit apelin e kreut të PD-së Lulzim Basha për mbylljen e aktiviteteve që nuk garantojnë distancimin social si Call Center dhe fasoneritë. Në një postim në Facebook, Shehu shkruan se këto aktiviteti ekonomike zhvlerësojnë masat e përgjithshme të “distancimit fizik”.

“Distancimi fizik” komprometohet rëndë nga aktivitete si i Call Center, “fason” etj. Edhe sipas specialistëve italianë, me disa nga të cilët jam në kontakt, aktivitetet ekonomike që kryhen me koncentrime punonjësish, veçanërisht në ambiente të mbyllura, zhvlerësojnë masat e përgjithshme të “distancimit fizik”.

E konsiderojnë këtë një nga arsyet kryesore të diferencave shumë të mëdha të gjendjes ndaj kësaj pandemie midis Veriut të Italisë e pjesëve të tjera. Në Lombardi etj, aktiviteti ekonomik bazohet në ndërmarrjet gjigande prodhuese, bankat e mëdha, institucione strategjike etj, me koncentrime njerëzore, që vështirë se mund të mbyllen tërësisht”, shkruan Shehu.

Më tej ai shton se në pjesët e tjera të Italisë dominon ndërmarrja e vogël dhe e mesme, fermerët, punonjësit autonomë etj, pa koncentrime të mëdha e lehtësisht të bllokueshme.

Sipas tij, në vendin tonë, ku dhe kushtet e punës se atyre ndërmarrjeve me koncentrime të larta janë shumë larg atyre italiane, mbyllja e asaj kategorie duke i mbështetur financiarisht është një domosdoshmëri urgjente dhe krejt e realizueshme, gjë e kërkuar me insistim nga PD./b.l/noa.al/