Transmetuar më 28-03-2020, 15:06

Shqiptarët janë ende të paqartë se si do të procedohet me atë që është etiketuar shumë herë nga kryeministri Edi Rama si paketë ndihme. Ende njerëzit nuk dinë se çfarë do të kenë si lehtësi ekonomiko-financiare nga shteti.

E vetmja gjë që dihet është se ata që kanë vite e vite pa paguar dritat dhe që OSHEE i ka zhytur dhe në kamata stratosferike, do të fshihen. Konkretisht të gjitha kamatat e aplikuara për periudhën deri në dhjetor 2019, do të zerohen dhe OSHEE në këtë mënyrë do të marrë vetëm atë që i takon, vlerën e faturës dhe jo kamatën.

Bëhet fjalë për afro 230 mijë konsumatorë familjarë dhe biznes i vogël ku vlerat do të ulen automatikisht nga kompania OSHEE, duke zbritur kamatëvonesat që ata kanë, e duke lënë vetëm detyrimin e energjisë që kanë patur të papaguar.

Këtë e bëri të ditur drejtori i Furnizuesit të Shërbimit Universal, Elton Sevrani. Ai sqaron se nuk do të ketë nevojë për këtë kategori që kanë aktmarrëveshje ekzistuese që të shkojnë në sportele, por grafiku i pagesave të mbetura do t’u jepet në momentin që shkojnë për të paguar debinë duke nisur nga muaji Prill.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili larg vëmendjes mediatike ka hapur dhe një kompani me emrin Furnizuesi i Shërbimit Universal, njoftoi sot se nga vendimi për faljen e kamatëvonesave përfitojnë në total 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumatorë biznes. Shuma totale e falur e kamatëvonesave arrin në 15,8 miliard lekë ose mbi 135 milion USD.

Kamatat do të fshihen deri më Dhjetor të vitit 2019 dhe nuk do të ketë tolerime për pagesat e faturave të muajve të këtij viti. Nëse energjia nuk paguhet do të ndërpritet, sqaron kompania e shpërndarjes.

Këtu lind pyetja: Pse OSHEE grumbulloi gjithë këto vlera të larta, kamata të faturave të papaguara? Përse OSHEE nuk bëri punën e saj që thotë se do ta bëjë tani e tutje, duke paralajmëruar se "nëse energjia nuk paguhet do të ndërpritet".

Është krejtësisht e qartë se kanë mbetur pa paguar, familje të varfra nëpër Shqipëri që nuk ke se çfarë t’u marrësh. Por tani situata është dhe më shqetësuese. Shumë njerëz po ngelen pa punë dhe pa të ardhura e për rrjedhjojë, do të rritet shumë numri i qytetarëve dhe bizneseve që nuk do të kenë mundësi të paguajnë as faturat dhe as kamatat e reja të OSHEE. /noa.al/