Transmetuar më 28-03-2020, 12:55

Një nga vështirësitë më të mëdha në luftën e pandemisë që ka kthyer botën përmbys është se shkenca di shumë pak për coronavirusin përgjegjës për COVID-19, ose SARS CoV2.

Euronews ka intervistuar Morgan Gaia, shkencëtar mbi evolucionet e viruseve dhe qelizave nga grupi kërkimor publik francez CEA, për të përgënjeshtruar disa prej lajmeve të rreme që po qarkullojnë mbi këtë virus.

Familja e viruseve SARS-CoV2 nuk është e panjohur për shkencën, por karakteristikat specifike të sëmundjeve të njeriut që shkaktohen nga ky lloj i SARS-CoV2, si koha e inkubimit, janë ende subjekt i studimeve.

Për më tepër, mënyrat e ndryshme të jetesës, klima dhe masat e marra nga qeveritë e vendeve të prekura, janë të gjitha faktorë që ndikojnë mbi të dhënat që kanë shkencëtarët, shpjegoi ai.

Njohuritë mbi virusin rriten nga dita në ditë, por orteku i botimeve të parakohshme shkencore mbi COVID-19 kanë krijuar konfuzion në media por edhe më shumë tek publiku.

Ky është rasti i mjekimit përmes klorokinës, e cila edhe pse nuk është klinikisht e provuar, po shitet në masë në farmacitë e gjithë botës.

Çfarë dimë për coronavirusin e ri SARS-CoV-2?

Sipas Morgan Gaia, shumë prej karakteristikave të këtij virusi janë të zakonshme edhe tek viruse të tjera të njohura për shkencën, por kombinimi i disa faktorëve është i ndryshëm.

Lehtësisht i transmetueshëm

Coronavirusi i ri COVID-19 përhapet lehtësisht dhe në mënyrë eksponenciale. “Është përllogaritur se, pa masat izoluese, një person i infektuar do të infektojë mesatarisht 2 ose 3 persona”, shpjegon Gaia.

“Ka gjithashtu edhe raste të dokumentuara të personave që kanë veti më të lartë përhapjeje, pra persona që për arsye ende të panjohura, infektojnë një numër më të lartë njerëzish. Kjo lehtësohet edhe nga mungesa e imunitetit të popullsisë, pasi është një virus i ri.”

Shkencëtarët thonë se coronavirusi përhapet me shpejtësi sepse është praktikisht “i padukshëm”: në shumë raste rreth 50 për qind ose më shumë, nuk shkakton simptoma ose paraqet simptoma të lehta, të ngjashme me ato të gripit apo të ftohjes së zakonshme.

Mungesa e përgatitjes në shumë vende

Shumë shtete nuk kanë përgatitjen e duhur përballë një pandemie, shtoi kësaj reagimin e ngadaltë të autoriteteve dhe qytetarëve, e cila ka çuar drejt situatës aktuale, me një të tretën e popullsisë në shtetrrethim për të frenuar vrullin e përhapjes së virusit.

“Në Azi, ata janë më të përgatitur sepse kanë pasur edhe epidemi të tjera dhe janë më të disiplinuar për sa i përket vetëmbrojtjes dhe aplikimit të masave izoluese”, shprehet Gaia.

Epidemitë kanë gjithmonë edhe një faktor politik. Autoritete shpesh hezitojnë të marrin masa jopopullore, të cilat mund të shkaktojnë panik dhe të dëmtojnë ekonominë. Ky hezitim, duke filluar nga Kina te Shtetet e Bashkuara e deri te Europa, ishte ndër arsyet kryesore për situatën në të cilën ndodhemi.

Globalizimi ka lehtësuar shumë përhapjen e virusit. Fakti se u shfaq për herë të parë në një qytet prej 11 milionë banorësh dhe në Kinë, shtetin që konsiderohet si “fabrika e botës” e ka favorizuar këtë gjendje të paprecedentë.

Injoranca mbi virusin

Një tjetër problem ka qenë mungesa e njohurive dhe e komunikimit midis shkencëtarëve, autoriteteve dhe publikut.

Ekzistojnë dyshime për përshtatjen e të dhënave të komunitetit shkencor kinez me standardet ndërkombëtare shkencore, si dhe për ndikimin e autoriteteve kineze në botimet e tyre.

“Shumë studime janë publikuar në gjuhën kineze” thotë Gaia, “shpesh pa shifra të qarta statistikore”.

Raportimi i simptomave si temperatura dhe kolla në fazat e hershme të epidemisë si shenjë për të izoluar të sëmurët ishte gjithashtu i gabuar, pasi injoronte faktin se shumë prej mbartësve mund të mos shfaqnin simptoma apo të shfaqnin vetëm simptoma të lehta. Kjo nga ana tjetër ngadalësoi kapacitetin e autoriteteve për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Nuk është krijuar në laborator

Shkencëtari e ka mohuar kategorikisht teorinë konspirative për një virus “të krijuar në laborator” duke shtuar se viruset luajnë një rol rregullator në natyre, edhe pse COVID-19 i ka kapur qeveritë në befasi, ishte e pritshme që në një moment të caktuar do të ndodhte një pandemi e tillë.

"Analizat faktike konfirmojnë pa dyshim se ky është një virus që ndodh natyrshëm," tha Gaia.

Ai theksoi humbjen e biodiversitetit dhe impaktin tonë mbi mjedisin si një nga shkaktarët.

“Kur ne reduktojmë largësinë midis natyrës dhe njerëzimit, kur lejmë kaq pak hapësirë për kafshët e egra dhe florën, ne inkurajojmë viruset, të cilat janë natyrale tek speciet e tjera, që të transmetohen tek njerëzit”, thotë shkencëtari.

Sjell efekte të ndryshme tek njerëzit

Ne gjithashtu dimë se virusi është i aftë  që të shkaktojë sindromën akute respiratore e deri në vdekje.

Dhe nuk prek vetëm të moshuarit. Në Francë, rreth 50 për qind e pacientëve në terapi intensive janë nën moshën 60 vjeç.

Kur ndodh infeksioni, ai është i aftë të krijojë përpos pneumonisë, një zinxhir reaksionesh që prekin thuajse gjithë organet. Përgjigja e imunitetit të trupit është shpesh aq e ashpër sa mund të dëmtojë indet e shëndetshme.

Sëmundja i prek fëmijët shumë pak. Ata shfaqin më pak simptoma dhe ka shumë pak raste që fëmijët të sëmuren me forma më të rënda të virusit.

Megjithatë fëmijët mund të jenë mbartës të virusit, e cila është edhe arsyeja se pse shkollat ishin ndër institucionet e para që u mbyllën.

Faktorët që përbëjnë rrezik

Mosha është faktori përcaktues në zhvillimin e simptomave të rënda që mund të kërcënojnë jetën e pacientit.

Shumica e rasteve serioze dhe e viktimave janë burra. Gjithashtu duket se është e provuar tashmë se pacientët që kanë probleme me tensionin e lartë, diabetin apo sëmundje kronike frymëmarrjeje dhe kardiovaskulare janë ndër të cilët kanë më shumë të ngjarë që të vuajnë nga komplikacionet e COVID-19.

Gjithashtu janë studiuar edhe grupet e gjakut dhe grupi i gjakut A duket se është më i rrezikuar.

Çfarë nuk dimë për coronavirusin e ri COVID-19

Pavarësisht informacioneve të shumta ndaj të cilave jemi të ekspozuar çdo ditë, dimë ende shumë pak për virusin e ri.

Shifrat reale të rasteve të konfirmuara dhe numri i vdekjeve

Shumica e shteteve, me disa përjashtime, janë shumë të limituar për sa i përket testimeve.

Gjithashtu ka të bëjë edhe mënyra si shtetet përllogarisin rastet e të prekurve dhe vdekjet.

Për shembull, në Francë llogariten vetëm viktimat nga spitalet, rastet e të infektuarve apo viktimat në shtëpi apo në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit mbeten të paraportuara.

Morgan Gaia shprehet se “disa vende nuk kanë mundësi që të centralizojnë të dhënat e tyre, ndërsa disa të tjera mund të kenë mungesë transparence”.,

Mungesa e provave

Fakti që shumë personalitete politike dhe kulturore kanë njoftuar se kanë rezultuar pozitiv ndaj COVID-19 thekson faktin se kanë qasje më të lehtë për t’u testuar, edhe nëse kanë simptoma të lehta. Kapaciteti i reduktuar i kryerjes së testimeve e bën të pamundur për të ditur shirat reale të pandemisë sot.

Sipas Gaia, “kapaciteti dhe vërtetësia e testeve ndikohet gjithashtu nga stadi i infeksionit tek pacienti dhe nga burimi i kampionit” (hunda, fyti).

“Nuk do të jetë e mundur testimi i gjithë njerëzimit për asnjë kohë të dhënë”, shton Gaia. “Mund të kemi vetëm llogaritje të përafërta”.

Proporcioni i rasteve asimptomatike

Fillimisht të injoruara, gjithmonë e më shumë studime sugjerojnë se një numër i lartë rastesh të padokumentuara (pa simptoma ose me simptoma të lehta) ka favorizuar përhapjen e pandemisë. OBSH thotë se rreth 80 për qind e njerëzve do të kalojnë sëmundjen me simptoma të lehta.

Çdo gjë tregon pra se numri i aktual i të infektuarve është shumë më i lartë se shifrat zyrtare, kështu që edhe shkalla reale e vdekshmërisë e virusit është shumë më e ulët.

Për sa kohë janë të infektuar pacientët

Karantina është 14 ditë, por nuk dihet për sa kohë pacienti mund të jetë mbartës dhe kështu t’ia ngjisë të tjerëve.

I sëmurë ose jo, kushdo mund të jetë mbartës i virusit dhe prandaj është e rëndësishme izolimi dhe masat e distancës sociale.

Studimet kineze kanë treguar se virusi mund të dallohet tek pacientët, dhe kështu të jetë potencialisht i transmetueshëm, nga 8 në 37 ditë, me një mesatare prej 20 ditësh.

Përhapja e kontaminimit

Ende nuk dihet egzaktësisht sesa mbijeton virusi në sipërfaqe të ndryshme.

Gjithashtu nuk e dimë me siguri nëse virusi transmetohet vetëm përmes ciklave të pështymës në ajër, për shembull kur dikush teshtin apo nga fryma e një personi të infektuar.

“Ne dimë se mënyrat kryesore të hyrjes së virusit në trupin e njeriut janë pështyma, sekrecionet nazale si kolla dhe teshtima dhe prekja e sipërfaqeve të kontaminuara”.

Ai shtoi se kontaminimi përmes ajrit për tani është vetëm hipotetik.

Deri tani është llogaritur se virusi mund të qëndrojë nga 2-3 ditë në sipërfaqe plastike apo metalike, 24 orë në karton dhe potencialisht 3 orë në ajër, por vetëm në kushte laboratorike. Në ambiente të jashtme, mbijetesa e virusit mund të varet nga kushtet mjedisore. Besohet se lagështira dhe i ftohti e ndihmojnë atë të mbijetojë.

Larja e shpeshtë e duarve dhe shmangia e turmave është ende një nga masat më të mira parandaluese kundër tij.

Origjina ekzakte e COVID-19

Studimet e fundit duket se konfirmojnë prejardhjen e virusit nga kafsha. Me shumë mundësi ka ardhur prej lakuriqëve të natës dhe është transmetuar tek njerëzit përmes një kafshe tjetër të dytë, por deri tani nuk ka siguri për këtë.

Shkencëtarët mendojnë se është një kombinim virusesh.

Trajtimi dhe vaksinat

Nuk ka një trajtim të provuar shkencërisht që është efikas.

Po përflitet shumë për klorokinën, por nuk është konfirmuar asgjë ende.

Laboratorë në të gjithë botën po punojnë për të gjetur një vaksinë, e cila mund të dojë më shumë se një vit për t’u zhvilluar e më pas të shpërndahet.

Klima

Edhe pse vera dhe nxehtësia pritet që ta ngadalësojnë pandeminë në hemisferën veriore, bazuar mbi të dhënat që kemi nga viruset e tjera, nuk dihet nëse një valë e ardhshme mund të kthehet sërish, ashtu siç ndodhi me gripin spanjoll për shembull. /Euronews/