Transmetuar më 28-03-2020, 12:19

Ndërsa shumë studiues në SHBA e jo vetëm janë duke punuar ditë e nate për të zbuluar sa më shumë të dhëna rreth koronavirusit, një test i ri gjaku ofron mundësinë për të zbuluar se kush mund të ketë imunitet, një fakt i rëndësishëm në betejën për të parandaluar virusin.

Disa laboratorë dhe kompani mjekësore po nxitojnë të prodhojnë këto teste gjaku, të cilat mund të identifikojnë shpejt antitrupat që luftojnë sëmundjen te njerëzit që tashmë janë infektuar, por mund të kenë pasur simptoma të lehta.

Kjo është e ndryshme nga testet e realizuara deri më tani. Teste të tilla janë relativisht të lira dhe të thjeshta dhe mund të japin rezultate në 10 deri në 15 minuta. Një zhvillim i tillë mund të bëjë kontrollin më të lehtë se sa testet diagnostikuese të deritanishme, raporton Euronews.

Ekspertët shprehen se derisa virusi është i ri, mbetet të shihet nëse njerëzit që prodhojnë antitrupa ndaj COVID-19 janë në të vërtetë imunë. Sidoqoftë, mbeten ende shumë pikëpyetje, duke përfshirë faktin sa zgjat imuniteti ndaj këtij virusi të ri, sa të sakta janë testet dhe si do të përfundojë testimi.

Për momentin, numri i njerëzve që kanë arritur të luftojnë virusin mbetet panjohur.

"Dy pyetjet thelbësore sipas mjekëve janë: a janë të mjaftueshme ato antitrupa për t’i mbrojtur ata që të mos ri-infektohen? Pra, a mund të kthehen në punë, në shkollë, aktivitetet e tyre të përditshme, duke ditur se "Unë jam imun"?

Dhe sa do të zgjasë? sepse kjo është një sëmundje e re, është e vështirë të thuhet nëse ato do të zgjasin për disa muaj apo për të gjithë jetën. Ekspertët e sëmundjes infektive thonë se imuniteti ndaj COVID-19 mund të zgjasë për disa muaj dhe mbase një vit ose më shumë bazuar në studimet e tyre për koronaviruse të tjera, përfshirë (SARS), e cila u shfaq në vitin 2003. Por, ata paralajmërojnë se nuk ka asnjë mënyrë që të dihet saktësisht se sa do të zgjaste imuniteti me COVID-19, dhe mund të ndryshojë nga personi në person. Testimet vijojnë duke marrë mostra gjaku nga persona të infektuar për të verifikuar rezultate e antitrupave.