Transmetuar më 28-03-2020, 05:33

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se ndihet mirë pas infektimit nga coronavirus dhe se shpreson që shumë shpejt të kthehej në punë.

Në intervistë për Euronews Albania, Brataj tha se tre ditët e para ishin shpërthim total i simptomave të dhimbjes së fytit, të kokës, kolla dhe temperatura e lartë. Drejtori u shpreh se mjekimi normal ishte paracetamoli, aspirina dhe takipirina. Dhe se sëmundja të jep një këputje fizike "sikur të kishte kaluar përsipër një kamion".

“Shfaqja e menjëhershme të simptomave vjen pas periudhës së inkubacionit, kulmi i saj në 4-5 ditët e para. Shpërthimi vjen me temperaturë të lartë, dhimbje koke, fyti. Mendoj se e kam kaluar më të keqen e sëmundjes.

Tri ditët e para ishin shpërthim i të gjitha simptomave. Kontrolli përmes medikamenteve më të thjeshta, Ilaçi i parë që përdora ishte paracetamoli dhe aspirina.

Për fatin e mirë mendoj se hyj tek ai 80 për qind që e kalon me simptoma të lehta. Nuk është vetëm temperatura si simptomë.

Të dhemb çdo pjesë e trupit, që nga fija e flokut deri tek thoi i këmbës, sikur të kanë rrahur gjithandej. Dobësia më e madhe e kësaj sëmundjeje është se rri vetëm shtrirë, temperatura e përkeqëson më tej gjendjen”, – shpjegoi ai.

Kreu i Urgjencës bëri thirrje që në çdo rast të ruhet qetësia, ndërsa rekomandoi që në rastin e temperaturës dhe kollës, që siç shpjegoi janë mekaniza të mbrojtes së organizmit, të përdoren medikamente vetëm në temperaturën mbi 38, 5 dhe në rastin kur kolla bëhet shumë e bezdishme dhe na pengon të flejmë.

Z. Brataj tha se se fluksi i pacientëve që po regjistrohet aktualisht në vendin tonë nuk është shumë i madh, po ta krahasosh me vendet e tjera si Kina apo Italia. Kjo sipas tij për dy arsye:

“Që funksionuan masat e menjëhershme parandaluese të vendosura që me shfaqjen e rastit të parë, kjo shihet, ndaj duhet të vazhdojë. Dhe e dyta, njerëzit janë monitoruar në shtëpi me shenja dhe simptoma të lehta dhe ma do mendja janë shëruar. Ardhja e pacientëve në spitale janë ato raste që kanë pasur komplikacione”, tha ai.